Lajme

Kusari: Liberalizimi i tregut të energjisë është i pashmangshëm


Mimoza Kusari-Lila, Shefe e grupit Parlamentar të VV-së

Mimoza Kusari-Lila, ushtruese detyre e shefes së grupit parlamentar të Vetëvendosjes, pas përfundimit të mbledhjes së kryesisë së Kuvendit të Kosovës, ka njoftuar se edhe të mërkurën e të enjten do të mbahen seanca.

E mërkura do të jetë vazhdim i seancave të pambyllura dhe do të mbahet në ora 14, ndërkaq ajo e së enjtes do të jetë seancë e jashtëzakonshme e thirrur nga opozita në ora 11.

Sipas Kusarit, opozita për seancën e saj të jashtëzakonshme ka deklaruar të pavërteta, pasi, sipas saj, “që në kërkesë ka thënë se çmimi i energjisë elektrike do të rritet për amvisëri dhe biznese dhe do të ketë efekt zinxhiror në rritjen e çmimit të produkteve gjë që është e pavërtetë, pasi nuk është vendim përfundimtar siç ka thënë edhe ZRRE”.

Kusari foli edhe për liberalizimin e tregut të energjisë për të cilën tha se është proces i pashmanshëm.

“Liberalizimi i tregut të energjisë, ky është një proces në të cilin Kosova ka obligime nga sekretariati i komunitetit të energjisë me të gjitha vendet e rajonit dhe është e pashmangshme, nuk ka të bëjë me kontratën e KEDS-it, kjo ka të bëjë me rregullat në sektorin e energjisë të cilat janë uniforme për të gjitha vendet e rajonit”, ka thënë Kusari.

Në Kosovë, Kusari tha se nuk ka pasur kushte që të liberalizohet tregu pa një kosto tepër të madhe te bizneset dhe te konsumatorët.

“Ajo çka jemi angazhuar ka qenë prilli i vitit të kaluar ku më 1 prill ka qenë data kur Kosova do të duhej të lëshonte në treg të liberalizuar të gjitha kompanitë dhe konsumatorët e mesëm që konsumojnë energji elektrike, atëherë ka qenë kërkesë e të gjitha organizatave të bizneseve që kjo mos të ndodhë, pasi çmimi do të rritej prej 30 në 40 për qind, e njëjta ndodhi edhe në Shqipëri proces të cilin ajo e shtyu për gjashtë muaj nëmënyrë që të mos i dëmtojë konsumatorët”.

“Është proces i pashmangshëm duhet të përgatitemi gjitha masat e nevojshme përfshirë edhe gjitha kompanitë e licencuara për të ofruar energji elektrike, por që ende nuk kanë arritur ta sigurojnë këtë energji. Jemi aktualisht në një krizë të përgjithshme për energji ne besojmë se edhe me aktivizimin e operimit të energjisë Kosovë – Shqipëri, ALPEX-it, ku hyn edhe Kosova do të krijohen kushte më të volitshme në muajt apo vitet në vijim që edhe Kosova ta përmbushë kërkesën për të dalë në treg të liberalizuar, nga tregu i rregulluar që funksionon në vend”, ka thënë Kusari-Lila.

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero

Kjo deklaratë erdhi pas krkesës që Institucioni ekzekutiv i Bashkimit Evropian (BE), Komisioni Evropian (KE), ka kërkuar nga Kosova që të liberalizojë tregun e energjisë elektrike me pakicë, për t’iu dhënë konsumatorëve vendorë të drejtën e lirë për të zgjedhur furnizuesin e tyre, meqë aktualisht kompania turke KEDS e mbanë monopolin në sektor.

Institucionet e Kosovës tashmë disa vite më parë janë zotuar për të bërë liberalizimin e plotë të tregut të energjisë elektrike, në kuadër të zotimeve që kanë bërë përballë Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, me seli në Lubljanë, e i formuar nga BE për vendet që synojnë anëtarësimin n¨£e bllokun Evropian.

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero, tha për agjencinë e lajmeve dtt-net.com se Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) do të duhej që të zbatojë zotimet e Kosovës dhe të liberalizohet tregu plotësisht, pra, edhe për energjinë elektrike me pakicë.

“Liberalizimi i tregjeve të energjisë elektrike me pakicë e rrit konkurrencën dhe inovacionin, e siguron lirinë e zgjedhjes për konsumatorët dhe i fuqizon ata që të marrin pjesë aktive në tranzicionin e energjisë, përderisa masat zbutëse janë të mundshme për të mbrojtur konsumatorët në vështirësi dhe për të trajtuar varfërinë energjetike”.

“Prandaj vazhdojmë që të inkurajojmë Zyrën e Rregullatorit për Energji të Kosovës  (ZRRE) që të zbatojë planin për liberalizimin e tregut me pakicë të energjisë elektrike në Kosovë, në përputhje me zotimet e Kosovës lidhur me Paketën e Tretë të Energjisë dhe kërkesat e tjera të Komunitetit të Energjisë”, ka deklaruar Pisonero.

Thirrje drejtuar Qeverisë së Kosovës për liberalizimin e tregut së fundi ka pasur edhe nga partitë opozitare, përderisa qeveria dhe ZRRE deri më tash nuk kanë dhënë ndonjë sqarim pse kjo nuk po bëhet.

Liberalizimi i plotë i tregut me pakicë të energjisë elektrike do t’i jepte fund monopolit të kompanisë KEDS/KESCO, në pronë të grupit nga Turqia, Çalik Holding, në shpërndarjen e energjisë elektrike me pakicë deri tek amvisërisë dhe bizneset në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore