Lajme

Kurti zotohet se do të hartojë strategjinë kombëtare për menaxhimin e qenve endacakë


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të martën e 25 janarit ka marrë pjesë në tryezën për diskutim të strategjisë për trajtimin e qenve endacak, ku nga këtu ka bërë të ditur se ekzekutivi të cilën ai e drejton do të dedikohet në këtë aspekt duke hartuar një strategji kombëtare për menaxhim të qëndrueshëm dhe efektiv të popullsisë së qenve.

“Do të kërkojë po ashtu ndihmë edhe nga akterët, partnerët e huaj në mënyrë që mjetet financiare të mos jenë problem për zbatimin e masave dhe projekteve të qëndrueshme e humane për menaxhimin e popullsisë së qenve, ashtu që Kosova sa më parë të mos ketë më qenë endacak në rrugë”, ka thënë Kurti, raporton zyra e kryeministrit.

Qeveria do të zotohet që do të mbështesë nivelin lokal për zbatimin e përgjegjësive ligjore me këtë temë.

“Edhe pse niveli lokal i ka shumicën e përgjegjësive për të zbatuar masat e nevojshme për menaxhimin e kësaj situate, mbështetja e nivelit qendror qoftë përmes hartimit të politikave dhe zbatimit të tyre, qoftë përmes mbështetjes financiare është jetike për nivelin lokal”, tha ai.

Për menaxhimin dhe kontrollin e qenve me dhe pa pronarë, e për çështje të tjera të mirëqenies dhe të drejtave të kafshëve, kryeministri theksoi domosdoshmërinë për bashkëpunim e këshillim edhe nga shoqëria civile.

Sipas Kurtit prania e madhe e qenve endacakë, është problem për vetë qentë dhe mirëqenien e tyre, por është po ashtu i kthyer në problem të sigurisë së qytetarëve dhe të shëndetit publik në përgjithësi.

“Fatkeqësisht, në të kaluarën kjo çështje është neglizhuar dhe nuk ka pasur koordinim ndërmjet nivelit lokal dhe atij qendror”, ka përfunduar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore