Lajme

Kurti: Vizita ime në SHBA, “mjaft e frytshme”


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se ka përfunduar vizitën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ai përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka dhënë detaje rreth kësaj vizite duke e konsideruar si, “mjaft të frytshme”.

“Vizitën time mjaft të frytshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e përmbylla në New York, pas tri ditë takimesh të ndryshme në Massachusetss, Connecticut, Rhode Island”.

Kurti gjatë këtyre takimeve thekson se ka cekur edhe të arriturat e ekzekutivit.

“Fola për të arriturat e qeverisë sonë dhe për dy qëllimet kryesore të vizitës sime në shtetin mik dhe aleatin tonë më të rëndësishëm: nxitjen e interesimit për investime në Kosovë dhe avancimin e bashkëpunimit me qeverinë amerikane në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë”, ka shkruar Kurti.

Ai tutje ka thënë se gjatë takimeve i’u ka bërë ftesë edhe bizneseve për bashkëpunim.

“Nga aty u bëra ftesë biznesmenëve amerikanë, ashtu si edhe atyre shqiptaro-amerikanë, që të investojnë në Kosovë për ndërmarrje fitimprurëse për ta dhe për zhvillim edhe më të hovshëm socio-ekonomik për Republikën e Kosovës”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Ndërsa, ka përmendur edhe takimin që ka zhvilluar me ministrin e Shëndetësisë, Rifat Latifi, në SHBA.

“Së bashku me ministrin e Shëndetësisë, dr. Rifat Latifin patëm një takim produktiv me drejtuesit e Neë York Medical College. Diskutuam për mënyrat sesi qeveria jonë dhe universiteti mund të bashkëpunojnë për të sjellë përmirësimet e nevojshme në institucionet shëndetësore të Kosovës”.

Ai theksoi edhe nderimet që ka bërë tek varrezat e shkrimtareve shqiptarë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë vizitës në SHBA.

“Në Boston bëra nderime te varret e dy shkrimtarëve, burrështetasve dhe veprimtarëve shqiptarë, të cilët shënuan shekullin XX, Fan Noli dhe Faik Konica”.

“Në Yonkers të Neë Yorkut u ndala për nderime të varret e tre vëllezërve Bytyqi. Sakrifica, patriotizmi dhe humanizmi i tyre është vlerë kombëtare mbi të cilën ndërtohet Republika e Kosovës, si shtet i pavarur dhe mbi të cilën përparon i mbarë kombi shqiptar”.

Kurti, pohoi se gjatë kësaj vizite anash nuk ka lënë as fushën e diplomacisë kulturore.

“Për rëndësinë e diplomacisë kulturore dhe ndërlidhjen e artistëve të Kosovës me artistët e mërgatës tonë bisedova me artistë të fushave të ndryshme, të cilët i takova në New York, në një pritje të organizuar nga fotografi ynë i mirënjohur, Fadil Berisha”.

Kryeministri në SHBA nuk ka takuar asnjë personaliteti nga Departamenti i Shtetit Amerikan.

Takimi më i rëndësishëm për nga aspekti politik ishte ai që Kurti e quajti “të frytshëm” me Jake Sullivan, këshilltar i Sigurisë Kombëtare.

Disa ditë pasi fillojë vizitën në SHBA, Kurti kishte takuar disa nga kompanitë e mëdha teknologjike atje, me të cilat, përmes Facebook-ut, njoftonte se ka diskutuar mundësinë e investimeve në Kosovë.

I kritikuar për këto takime të profilit të ulët, Kurti është kundërpërgjigjur duke pohuar se vizitën po e bën “për të prezantuar mundësitë për investime dhe për të nxitur investitorë potencialë në Kosovë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore