Lajme

Kurti vazhdon të merr pjesë në Forumin e Paqes në Paris


Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është duke marrë pjesë në Forumin e Paqes në Paris krahas disa udhëheqësve të tjerë botërorë.

Forumi i Paqes në Paris do të zgjasë për tre ditë nga 11 deri në 13 nëntor.

Prezent pritet të jetë edhe kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç, ka njoftuar zyra për medie nga Pallati Elysee në Paris.

“Në total, 450 pjesëmarrës priten të jenë prezent, duke përfshirë rreth tridhjetë krerë shtetesh dhe qeverish”, thuhej në njoftimit për media të Zyrës së Presidentit të Francës, Emannuel Macron.

Në këtë forum ndër të tjera pritet të diskutohen problemet e shkaktuara nga pandemia COVID-19 dhe përmirësimi i qeverisjes globale në kohën e saj.

Kurti është përshëndetur nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

Në këtë takim udhëheqësit dhe pjesëmarrësit e tjerë patën mesazhe të shkurta përmes videove.

“Është detyra jonë si udhëheqës, shkencëtarë dhe aktivistë që të mos qëndrojmë anash historisë, por të bëhemi progresistë për ta përqafuar dhe formësuar atë duke avokuar për më shumë barazi dhe drejtësi në mbarë botën”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Edicioni i sivjetshëm i Forumit, i cili po mbahet në kuadër të shënimit të Ditës së Pajtimit në Luftën e Parë Botërore, do t’i kushtohet rimëkëmbjes ekonomike pas epidemisë së virusit korona. Forumi do të hapet nga Macron dhe Kamala Harris.

Forumi i Paqes u nis në vitin 2018 nga Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, me qëllim promovimin e multilateralizmit.

Por, Kosova nuk është ftuar në Samitin për Demokraci i cili do të mbahet në dhjetor të këtij viti në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Megjithatë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se “nuk është fundi i botës”, derisa ka komentuar mos-ftesën nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Samitin për Demokraci.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore