Lajme

Kurti uron pavarësinë e SHBA-ve: Jemi duke e festuar demokracinë


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar qytetarët amerikan për 246 vjetorin e pavarësisë.

Ai përmes një shkrimi në ‘Facebook’, e ka lidhur urimin me situatën në Ukrainë.

Sipas tij, “autokracia e Putinit po i sulmon vlerat demokratike”.

“Po të ishte Rusia një demokraci e mirëfilltë, ajo me shumë gjasë nuk do të pushtonte kurrë Ukrainën. Dhe po ashtu, po të ishte Serbia një demokraci e mirëfilltë, ajo nuk do të përbënte një kërcënim kaq serioz për paqen në rajonin tonë”.

“Në këtë kuptim, përpjekjet e rëndësishme të presidentit Biden për të promovuar vlerat demokratike në mbarë botën, mund të kuptohen njëkohësisht si përpjekje për të ruajtur paqen ndërmjet kombeve”, ka shkruar Kurti.

Kreu i ekzekutivit, ka deklaruar se festa të tilla duhet të kujtojnë demokracionë.

“Këtë 4 korrik, pra, kur po e festojmë demokracinë, le të kujtojmë, bashkë me Lincoln, se demokracia nuk e mbron vetveten; përkundrazi, ne popujt e botës demokratike duhet ta mbrojmë”.

“Le të zotohemi, pra, se do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka që mundemi, me çdo kusht, për të siguruar që demokracia e Ukrainës do të dalë fitimtare ndaj autokracisë së Rusisë. Dhe, duke qëndruar prapa Ukrainës dhe qytetarëve të saj, le t’ia dëshmojmë të gjithë botës, demokratëve dhe autokratëve njëkohësisht, vendosmërinë tonë të palëkundur, që “qeverisja e popullit, nga populli dhe për popullin, nuk do të zhduket nga toka”.

Festa e 4 korrikut festohen në çdo vend nga amerikanët si Dita e Pavarësisë së SHBA-ve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore