Lajme

Kurti uron Gjermaninë në Ditën e Bashkimit: Lidhja e fuqishme mes vendeve tona rezultat i mërgatës


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka uruar Gjermaninë në Ditën e Bashkimit, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

Sipas tij, lidhja e fuqishme mes Kosovës dhe Gjermanisë është edhe rezultat i mërgatës kosovare që jeton në Gjermani.

“Lidhja e fuqishme mes dy vendeve tona vjen edhe si rezultat i mërgimtarëve tanë që punojnë dhe jetojnë në Gjermani ndërkohë që kontribuojnë edhe në zhvillimin e Kosovës. Republika jonë i është mirënjohëse Gjermanisë për ndihmën e shumëfishtë që ajo na ka dhënë, për modelin që ka ngritur e që frymëzon një zhvillim të bazuar në punë, dije dhe ndershmëri”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Tutje ai ka kujtuar edhe të kaluarën e Gjermanisë duke e krahasuar me të tashmen.

 

“Ata që ishin kundër bashkimit të Gjermanisë 30 vite më parë, e që tash po bëjnë luftë kriminale kundër Ukrainës, si atëherë, edhe tash tri dekada më vonë, do të humbin përsëri. Kancelarit Olaf Scholz, Qeverisë Federale të Gjermanisë dhe gjithë popullit mik gjerman i urojmë Ditën e Bashkimit!”, ka shkruar kryeministri.

3 tetori, këtë vit kujtohet nën hijen e luftës në Ukrainë dhe krizës aktuale të energjisë dhe çmimeve në Gjermani.

Politikanë të shumtë kanë bërë thirrje për ruajtjen e unitetit shoqëror në vend dhe mbrojtjen vendosmëri të lirisë dhe demokracisë.

Këtë 3 Tetor festimet zhvillohen në Erfurt me një ceremoni ku merr pjesë edhe presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier dhe kancelari, Olaf Scholz, presidentja e Bundestagut, Bärbel Bas, kryeministri i landit të Tyringjisë, Bodo Rameloë e politikanë të tjerë të nivelit të lartë e personalitete nga jeta publike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore