Kosova

Kurti udhëton për në Bruksel, takon krerët e institucioneve të BE-së


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të udhëtojë për në Bruksel këtë të martë për një vizitë dyditore.

Vizitën e Kurtit e ka konfirmuar zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, gjatë një konferencë për media të hënën.

Sipas tij, Kurti në Bruksel do të takohet me Presidentin e Parlamentit Evropian, David Sassoli, si dhe Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

“Po ashtu do të takohet edhe me shefin e diplomacisë evropiane, Josep Borrell”, tha Kryeziu.

Bashkë me Kurtin do të udhëtojnë zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe ministrja e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla.

Ndërkaq një takim mes kryeministrit Kurti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, mund të ndodh me 11 maj.

Kështu ka paralajmëruar përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell.

“Shpresoj të kemi një rund të radhës të dialogut në datën e paraparë 11 maj. Nuk kam asgjë për të ofruar, vetëm dua të shpjegojë sa i rëndësishëm është të vazhdohet ky dialog”, ka thënë Borell.

Por për takimin Kurti-Vuçiç, Qeveria e Kosovës nuk ka marrë ende ftesë zyrtare.

“Datat, vendet dhe agjendat e takimeve kanë kuptim dhe zbatim kur merremi vesh, jo kur imponohen njëanshëm”, ka shkruar në Facebook, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore