Lajme

“Kurti u ‘dorëzua’ në çështjen e targave pasi situata në Veri mund të përkeqësohej rëndë”


Albin Kurti

Përkeqësimi i rëndë i situatës në Veri të Kosovës në mënyrë të pakthyeshme, ishte arsyeja kryesore se pse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pranuar të bëjë kompromis për çështjen e targave të mërkurën në Bruksel pas negociatave disa orëshe në mes të kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimit dhe kryenegociatorit të palës serbe, Petar Petkoviç.

Kështu të paktën ka pretenduar gazetari i Frankfurter Allgemeine Zeitung, Michael Martens, në një postim në rrjetin e tij social në Twitter ku ka njoftuar në pika të shkurtra temat të cilat i ka diskutuar me shefin e ekzekutivit kosovar në një intervistë e cila do të publikohet së shpejti në gazetën gjermane.

“Kurti tha se ishte dakord për një kompromis në ‘krizën e targave’ pasi ishte paralajmëruar nga ambasadori amerikan në Prishtinë se situata në Veri të Kosovës ‘mund të përkeqësohet rëndë dhe në mënyrë të pakthyeshme’”, ka shkruar Martens.

Sipas gazetarit Martens, Kurti, gjatë intervistës ka deklaruar se ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i cili propozoi shtyrjen e vendimit për targat për të paktën 48 orë pas dështimit të fazës së parë të bisedimeve në Bruksel të hënë për këtë çështje, ka qenë shumë më shumë i informuar se sa vetë ai për situatën në Veri.

“‘Ambasadori amerikan kishte më shumë informacion se unë për situatën në veri’, theksoi  Kurti, duke përmendur ‘shqetësimet e sigurisë’ pa hyrë në detaje”, ka shkruar gazetari Martens.

Më tej gazetar ka bërë të ditur se me Kurti kanë diskutuar edhe qasjen e shefit të diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe qasjen e tij të ashpër ndaj Kurtit, i cili nga Borrell u etiketua si jo konstruktiv.

“Unë nuk jam kokëfortë, jam parimor”, ka deklaruar Kurti në lidhje me këtë pyetje, tregon Martens.

“Ne folëm edhe për rolin e z. Borrell dhe z. Miroslav Lajčák si ndërmjetës evropianë në përgjithësi. Dhe për thelbin e propozimit franko-gjerman për zgjidhjen e kontestit Kosovë-Serbi”.

“E pyeta Kurtin se çfarë lloj stimulimi ka Vuçiç për të punuar që Serbia të njohë Kosovën, duke pasur parasysh se perspektiva e anëtarësimit në BE për Serbinë (dhe 5 shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor) është e vdekur, pavarësisht se çfarë bëjnë dhe si reformojnë”.

Albin Kurti e pranon se u bë koncesion në Bruksel, “por ishte dobia e madhe”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore