Lajme

Kurti thotë se “non-papers” vijnë nga Beogradi dhe Moska


Albin Kurti në një nga prononcimet e tij për gazetarë në Prishtinë

Dy dokumentet, të njohura si “non-papers”, për të cilat u tha se njëra vjen nga Sllovenia e tjetra është influencuar nga qarqe franko-gjermane, e kanë prejardhjen nga Beogradi dhe Moska, ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë me korrespodentë të Kosovës në Bruksel, ku edhe po qëndron për vizitë zyrtare.

“Nuk besoj që autorët e këtyre janë kryeqytetet perëndimore, sigurisht që jo SHBA-ja dhe as ato evropiane”, tha Kurti.

“Besoj që kjo vjen nga Beogradi dhe verilindja. Është interes i Federatës Ruse ta përdor Ballkanin Perëndimor për të sulmuar Bashkimin Evropian dhe NATO-n”.

Njëra nga “non-papers” thoshte se zgjidhja përfundimtare e problemeve në Ballkanin Perëndimor është ri-dizajnimi i kufijve ballkanik, ku, pos tjerash, Kosova bashkohej me Shqipërinë dhe Serbia me një pjesë të madhe të territorit të Bosnjës, derisa Lugina e Preshevës dhe Veriu i Kosovës rregulloheshin me një status special.

Ndërsa, “non-paper” tjetër, ai i ashtuquajtur franko-gjerman, merrej ekskluzivisht me problemin Kosovë – Serbi dhe propozonte zgjidhje me njohje reciproke të të dyja vendeve dhe autonomi për Veriun e Kosovës.

Të gjitha vendet e përfshira si autore të këtyre dokumenteve e kanë mohuar autorësinë.

Një herë Sllovenia dhe kryeministri i saj Janez Jansha, e më pas edhe Gjermania e Franca. Përveç tyre, edhe Bashkimi Evropian – pjesë e të cilit janë të tri shtetet e pretenduara si autore – i quajti si nonsens zgjidhjet e ofruar dhe mohoj se janë shkruar nga adresa brenda BE-së.

Madje, i pyetur lidhur me këto dokumente, Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell tha se ai nuk punon me ‘non paper’ dhe i quajti dokumente fantazmë.

Por, ishte presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, i cili pohoi se për njërin nga këto dokumente e ka idenë se kush e ka shkruar. Tha se është një grua, e cila e njeh mirë problematikën dhe gjithashtu është “shumë e mençur dhe dinake”.

Pas deklaratave të Vuçiç, mediat serbe thanë se e kanë gjetur gruan për të cilën po flet presidenti i tyre dhe ajo është, Drejtorja Menaxhuese për Europë dhe Azi Qendrore brenda shërbimit diplomatik dhe ministrisë së kombinuar të jashtme dhe të mbrojtjes në Bashkimin Evropian Angelina Eichhorst.

Por, Albanian Post komunikoi në një prononcim të rrallë me Eichhorst dhe ajo e mohoi kategorikisht.

“Publikimi natyrisht është marrëzi absolute. Delegacioni ynë në Serbi tashmë lëshoi ​​një mohim të fortë dhe Përfaqësuesi i Lartë Josep Borrell foli gjithashtu për këtë në konferencën për shtyp me Kryeministrin Kurti sot dhe e refuzoi atë vendosmërisht”, tha Eichhorst.

Çfarë është “non-paper”?

“Non-paper” është dokument joformal, zakonisht pa theksim të qartë, i cili ekspozohet në negociata të mbyllura brenda.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore