Lajme

Kurti tallet me Bekim Haxhiun dhe opozitën: Ty zotëri të marr seriozisht kur ta sjellësh Projektligjin për Masazh, fizoterapeut je


Albin Kurti dhe Bekim Haxhiu ne Kuvend

Në Kuvendin e Kosovës po diskutohet për Trustin Pensional dhe propozimin e deputetit Bekim Haxhiu nga Partia Demokratike e Kosovës, që të lejohet nga qytetarët tërheqja e 30 për qind të shumës së përgjithshme individuale.

Por, Albin Kurti, kryeministri i Kosovës, është tallur me Haxhiun, duke e pyetur fillimisht kush ia dha këtë propozim, meqë ai vetë ekonomist nuk është.

“Çështja e financave shtetërore dhe e të ardhmes në ekonomi e ka një dimension të fuqishëm profesional, duhet të konsultosh ekspertë për të thënë diçka, sepse edhe vetëm duke folur, bën dëm. Dua ta di kë e keni konsultuar për këtë punë? Ti i fushës nuk je?”, ka pohuar Kurti.

“Ty të marr seriozisht kur ta sjellësh në Kuvend Projektligjin për Masazhe, jo për Trust. Fizoterapeuti flet për ekonomi”, shtoi Kurti dhe u përcoll me të qeshura nga deputetët.

Ndërsa, për pjesën tjetër të opozitës ka thënë se ata po i duken sikur liderja e të djathtës ekstrem në Francë, populistja Marine Le Pen.

“Kjo çka po bëni ju është populisëm. A e dini kush flet për çmime e jo për zhvillim ekonomik, makroekonomi, gjeo-ekonomi e rrethana gjeo-politike? Le Pen-i flet kështu. Le Pen-i në Francë në fushatë flet kështu. Por, mua kjo më ngjan, meqë dikur e vidhnim shtetin, të dashur qytetarë vidheni edhe ju vetveten”.

Sipas kryeministrit, halli nuk është se a do të kalojë propozimi, “hallin e kam që po diskutohet. Kjo s’do të duhej të diskutohej fare”.

“Shumica që ka pak, fiton aspak. Pakica që ka shumë, fiton edhe ma shumë, po ajo tashmë ka shumë”, e përfundoi Kurti fjalimin në foltoren e Kuvendit.

“Kërkova që debati mos me u bartur në personale, sot e kem vetëm një kërkesë, mos iu bë presion deputetëve tuaj. Lëri të votojnë të lirë, në bindjen e tyre, në vullnetin tyre”, i replikoi Haxhiu.

“Në aspektin personal, kryeministër, të kam thënë ty dhe kolegëve tuaj, që nihemi prej kohës së Unionit të Studentëve, dhe kur unë iu kam bashkuar UÇK-së dhe ti ke qëndruar në Prishtinë”.

“Por po duket kryeministër që nëse kështu vazhdon me qëndruar në zyrë, edhe mos me i dëgjuar kërkesat e qytetarëve, ke me pasur edhe probleme të dhimbjes së shpinës dhe ke me pasur nevojë edhe për fizeoterapi, kështu që jam i gatshëm me të trajtuar pa para sa herë që ke nevojë”.

“Por sot qytetarët kanë nevojë që qeveria dhe kuvendi, ndonëse po ke vullnet me ua mbylle gojën deputetëve, por nëse ke arritë me bërë te deputetët tuaj, nuk ke me arrit me bërë te ky kuvend, sepse ky është tempulli i demokracisë”, theksoi Haxhiu.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore