Shqipëria

Kurti takon Kumbaron, diskutojnë për bashkëpunimin në turizëm


Albin Kurti dhe Mirela Kumbaro

Krijimi i hapësira të reja për bashkëpunim në turizëm, ishte kryefjala e takimit të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me Ministren e Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë, Mirela Kumbaro, këtë të premte të 27 majit.

Në takim, sipas një njoftimi për media nga zyra e kryeministrit, u rikonfirmua gatishmëria për të rritur angazhimin institucional për aktivitete të reja të përbashkëta ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, në shërbim të produkteve të reja turistike, ku do të përfshiheshin asetet më të rëndësishme turistike të të dy vendeve.

“Organizimi i planifikuar i konferencës ‘Turizmi i përbashkët Kosovë – Shqipëri’ u vlerësua si mundësi për konkretizimin e nismave të përbashkëta. U theksuan potencialet për investime, duke marrë parasysh pozitën e favorshme gjeografike në rajonin e Ballkanit”, thuhet në njoftim.

Ndryshe ky është takimi i parë i kryeministrit Kurti, prej që ai është kthyer pas vizitave zyrtare që pati në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Zvicër në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore