Lajme

Kurti takon Kadaren, bisedojnë për letërsinë, historinë e kulturën shqiptare


Albin Kurti dhe Ismail e Helena Kadare

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, këtë të marte ka takuar në zyrën e tij shkrimtarin e mirënjohur shqiptar me renome ndërkombëtare, Ismail Kadare, me të cilin ka biseduar për letërsinë, historinë e kulturën shqiptare.

Siç thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrit, Kurti gjatë bashkëbisedimit i kujtoi Kadaresë se si librat e tij “kanë qenë kriter për t’u lexuar nga nxënësit”, duke ia përmendur kështu veprat e famshme “Princesha Argjiro”, “Kështjella”, “Ura me tri harqe” dhe “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”.

“Ai shprehu se pikërisht këto vëllime kanë qenë motivi i cili ka nxitur leximin e gjitha veprave të Kadaresë”.

Për shkak se kjo krijimtari e Kadaresë vë në pah historinë kombëtare shqiptare nga një kënd tjetër, atë më njerëzor dhe shpirtëror, sipas kryeministrit “është arsyeja që e bën një art aq të bukur të tregimit dhe inkurajim për të lexuar tregimin e historisë”.

“Rrjedhimisht, ai ritheksoi se brezave të rinj duhet të ua mësojmë më shumë historinë nëpërmjet letërsisë së Kadaresë, pasi që ajo është e pazëvendësueshme dhe thelbësore”.

Nga ana tjetër, Ismail Kadare – i konsideruar nga shumë kush si shkrimtari më i madh shqiptar i të gjitha kohërave – “vlerësoi fjalët e kryeministrit, duke potencuar se puna dhe krijimtaria për kombet është ndër detyrimet morale e universale”.

“Ndërkaq, Shqipërinë ai e renditi ndër vendet e para në zonën e Evropës që ka botuar letërsi, siç janë librat historik e kombëtar në gjuhën shqipe”.

Tutje, për kulturën shqiptare Kadare shtoi se përveç se është shërbim për vet popullin shqiptar, ka një rol të veçantë edhe në shërbimin ndaj gjithë zonës evropiane, që e gjen rifillimin dhe frymëzimin në kohën e Dantes.

“Me anë të artit letrar, ai tha se lexuesve, bashkohësve tanë, duhet t’u përçojmë të vërtetën pasi që kjo vlerë na duhet shumë dhe është e çmuar për njerëzimin”.

Ismail Kadare takohet me krerët e shtetit të Kosovës në hapjen e “Panairit të Librit”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore