Lajme

Kurti takon ambasadorin francez, bisedojnë për takimin në mes Bislimit dhe Petkoviç’it


Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është takuar me ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guerot, me të cilin ka biseduar për takimin e të martës në mes të kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviç, në kuadër të dialogut në mes të Prishtinës dhe Beogradit, por edhe për zbatimin e marrëveshjes bazë të dakorduar fillimisht në Bruksel dhe e plotësuar me aneksin e saj në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

“U bisedua për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për procesin e dialogut, Marrëveshjen Bazë dhe aneksin e zbatimit të saj sipas dakordimit të arritur në Ohër më 18 mars, si dhe për takimin e sotëm në Bruksel në nivel kryenegociatorësh”, thuhet në njoftimin e zyrës së Kryeministrit.

Ndërkaq, Kurti me diplomatin francez kanë biseduar edhe për zhvillimet politike brenda vendit si dhe për thellimin e bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe Francës.

“Diskutimet u zhvilluan mbi çështjet aktuale politike në vend me fokus marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet dy vendeve dhe format e mënyrat për thellimin e tyre”, thuhet aty.

Ndryshe, para takimit me kryenegociatorin serb, Petar Petkoviç’in në Bruksel për të diskutuar për hapat e ardhshëm në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe njëherit kryenegociatori i palës kosovare, ka takuar Komisionerin e Bashkimit Evropian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë, Oliver Varhelyi.

Takimin në fjalë e ka lajmëruar vetë diplomat hungarez, Varhelyi, përmes një postimi në rrjetin e tij social në Twitter.

Sipas Varhelyit në takim me Bislimin ndër të tjera është diskutuar se çfarë do të jetë në gjendje të bëjë Komisioni Evropian në rast se dialogu Kosovë-Serbi arrin rezultate pozitive.

“Diskutuam për axhendën e reformës së BE-së dhe detyrat që na presin dhe se si Komisioni do të jetë në gjendje të ndihmojë në zbatimin e rezultateve kur dialogu Kosovë-Serbi të jetë i suksesshëm”, ka shkruar Varhelyi në Twitter.

Ndërsa, takimi ndërmjet Besnik Bislimit dhe Petar Petkoviç’it do të organizohet me ftesë të ndërmjetësuesit të dialogut, Mirosllav Lajçak’ut.

Si zakonisht delegacionet e Kosovës dhe Serbisë do të kenë takime të ndara bilaterale me Lajçakun, dhe më pas vjen takimi trilateral.

Bashkimi Evropian, gjegjësisht zëdhënësi, Peter Stano, ka deklaruar të hënën se shpreson që ajo që ka ndodhur ditëve të fundit në Veri të Kosovës – djegia e veturave të serbëve të cilët kishin konvertuar targat nga ato ilegale “KM” në ato legale “RKS” – nuk do të ndikojë në takimin e kryenegociatorëve të Prishtinës dhe Beogradit.

Ky do të jetë takimi i parë i Kosovës dhe Serbisë pas dakordimit më 18 mars në Ohër të Maqedonisë për aneksin e zbatimit të Marrëveshjes së dakordësuar më 27 shkurt në Bruksel.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore