Lajme

Kurti takohet me senatorë francezë, bisedojnë edhe për dialogun Kosovë-Serbi


Kryeministri i Kosoves, Albin Kurti dhe senatoret franceze

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me një delegacion francez, me të cilët ka biseduar ndër të tjera edhe për dialogun me Serbinë.

Siç njofton zyra e kryeministrit, kreu i ekzekutivit ka qenë i ftuar nga ambasadori francez në Kosovë, Oliver Guerot, në rezidencën franceze, ku është takuar me një delegacion të senatit francez.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti mbrëmë takoi një delegacion nga senati francez, anëtarë të komisionit për punë të jashtme dhe mbrojtje, të përbërë nga senatorët Helene Conëay-Mouret, Michelle Greaume, Olivier Cigolotti dhe administratori i komisionit të punëve të jashtme, mbrojtje dhe forca të armatosura, Benoit Heurtel”, njofton zyra e kryeministrit.

Tutje, në këtë njoftim thuhet se kryeministri kosovar i ka falënderuar senatorët francezë për mbështetjen që Franca i ka dhënë Kosovës përgjatë gjithë etapave, “nga çlirimi, pavarësimi, e deri te shtet ndërtimi dhe konsolidimi ndërkombëtar”.

Ndërkaq, pjesë e bisedës ka qenë edhe dialogu me Serbinë, pas marrëveshjes bazë për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, të dakorduar fillimisht në Bruksel, dhe e përforcuar me aneksin e saj në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

“Ai i informoi delegacionin francez rreth zhvillimeve në Kosovë, çështjes së dialogut me Serbinë, si dhe rreth sfidave të aspektit të sigurisë, që kërcënojnë rajonin dhe vendin tonë. Kryeministri foli për fokusin e Qeverisë së Kosovës për zhvillimin e sektorit të Mbrojtjes dhe sigurisë, arsimit, bujqësisë dhe energjisë. Theks të veçantë vendosi te rritja e investimeve të huaja në Kosovë dhe veprimet e hapat, që Qeveria ka ndërmarrë për mundësimin e këtyre investimeve”, thuhet aty.

Sipas njoftimit të zyrës së kryeministrit, senatorët francezë janë shprehur të kënaqur me progresin që Kosova e ka arritur në shumë fusha sidomos në fushën e sundimit të ligjit, rritjes së transparencës dhe forcimin e demokracisë.

“Ata si përfaqësues të partive të ndryshme politike në kuadër të senatit francez, theksuan se do të jenë të bashkuar në mbështetje të rritjes së bashkëpunimit ndërmjet Francës dhe Kosovës, me fokus në fushën e ekonomisë, energjisë, mbrojtjes dhe sigurisë, si dhe mjedisit”.

Po ashtu, Kurti ka kërkuar mbështetjen nga senatorët francezë mbështetjen për mundësitë e rritjes dhe avancimit të aktiviteteve të përbashkëta ushtarake, si dhe mbështetje diplomatike për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, Programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s dhe në BE.

“Gjatë takimit, po ashtu u diskutua edhe për sfidat aktuale të sigurisë në nivel global, agresionin dhe invazionin ushtarak rus ndaj Ukrainë dhe pasojat e tij për ekonominë dhe sigurinë e kontinentit”.

Përveç Kurtit, bëhet e ditur se në këtë takim kanë qenë edhe deputetja e Kosovës nga radhët e Vetëvendosjes, Arbëresha Kryeziu Hyseni, këshilltari i kryeministrit për mbrojtje dhe siguri, kolonel Ejup Maqedonci, si dhe Elvis Hoxha.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore