Lajme

Kurti takohet me Presidentin e VATRËS: Premtojnë që do të promovojnë vlerat dhe jetën e shqiptarëve


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti i Federatës Panshqiptare VATRA, Ilmi Berisha.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar të mërkurën me Presidentin e Federatës Panshqiptare VATRA, Ilmi Berishën, i cili është me seli në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Zyra e kryeministrit, ka bërë të ditur se diskutuan për të punuar më shumë në promovimin e vlerave të jetës së shqiptarëve.

“Kurti dhe Berisha u pajtuan që Qeveria e Kosovës dhe VATRA, si dhe të gjitha shoqatat e tjera relevante të vullnetit të mirë, duhet të punojnë së bashku për të promovuar vlerat dhe jetën e shqiptarëve kudo”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti i Federatës Panshqiptare VATRA, Ilmi Berisha.

“Si dhe të forcojnë praninë politike në vendet partnere të aleancës strategjike”, thuhet në njoftimin e Zyrës së kryeministrit.

VATRA, është shoqatë shqiptaro-amerikane, e cila që nga viti 1912 ka mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara, si dhe ka lobuar pranë Kongresit dhe qeverisë amerikane për të drejtat e shqiptarëve në Kosovë dhe në mbarë botën”, thuhet në njoftim.

Takimi i parë për të bashkuar të gjitha organizatat shqiptaro-amerikane në një federatë u zhvillua më 24 dhjetor 1911, në Boston.

Ky takim është thirrur me iniciativën e shoqatës “Besa-Besën”.

Patriotët e shquar shqiptarë, Faik Konica dhe Fan Noli ishin ndër ata që iniciuan themelimin e VATRËS.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore