Lajme

Kurti takohet me Pompeon, bisedojnë për shtimin e investimeve amerikane në Kosovë


Në tryezën ndërkombëtare vjetore të revistës prestigjioze The Economist, e cila po mbahet në Athinë të Greqisë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi takim me ish-Sekretarin Amerikan të Shtetit dhe ish-drejtorin e CIA-s, Mike Pompeo.

Sipas njoftimit për media të Zyrës së kryeministrit, në këtë takim u theksua miqësia dhe partneriteri i Kosovës me ShBA-të, nevoja për shtimin e investimeve ekonomike amerikane në Kosovë dhe hapat, që po ndërmerr Kosova për të shtuar sigurinë dhe mbrojtjen.

“U diskutua edhe situata në Evropë e posaçërisht në Ballkan pas agresionit ushtarak të paprovokuar, ilegal e të pajustifikueshëm të Rusisë mbi Ukrainën”.

Po ashtu Kurti e ka njoftuar Pompeon me të arriturat e Kosovës sa i përket rritjes ekonomike, cilësisë së demokracisë dhe imazhit të Kosovës në botë.

“Të dy u pajtuan që Rusia nuk bën kurrsesi ta fitojë këtë luftë, që kontinenti evropian mbrohet më së miri me unitet të brendshëm dhe me urën transatlantike me ShBA-të dhe se Kosova është shembull suksesi i qëndrueshmërisë së popullit të saj dhe i ndërhyrjes së NATO-s”.

Gjatë qëndrimit në Athinë, Kurti është takuar edhe Drejtorin Ekzekutiv të Komitetit Amerikan-Hebraik (American Jewish Committee – AJC), David Harris.

Ndër të tjera, është diskutuar edhe për anëtarësimin e Kosovës në BE.

“Drejtori Ekzekutiv i Komitetit Amerikan-Hebraik e ftoi Kryeministrin Kurti për vizitë në Izrael. Duke folur për situatën gjeopolitike në rajonin tonë, u theksuan përpjekjet e Kosovës dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor për integrim në Bashkimin Evropian”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore