Lajme

Kurti takohet me delegacionin nga shteti i Iowa-s, synohet rritje e bashkëpunimit


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në takim me anëtarët e shtetit të lowa-s.

Të hënën e 4 korrikut, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim delegacionin nga shteti i Iowa-s që po qëndron në Kosovë, i përbërë nga profesionistë të fushave të ndryshme, ushtarakë, akademikë e gazetarë.

Këtë e ka bërë të ditur zyra e Kryeministrit përmes njoftimit për media.

“Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen për partneritetin e fortë dhe marrëdhënien speciale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe shtetit të Iowa-s. Ai i falënderoi për mikpritjen gjatë vizitës zyrtare atje”.

“U theksua potenciali për rritje të bashkëpunimit dhe u bisedua për krijimin e mundësive të reja për rritjen e investimeve në sektorin e energjisë, ekonomisë, tregtisë dhe teknologjisë së informacionit, si dhe për promovimin e vlerave të përbashkëta”, thuhet në njoftim.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në takim me anëtarët e shtetit të Iowa-s.

Ndërsa, është theksuar bashkëpunimi aktual mes SHBA-ve dhe shteteve të Iowa-s.

“U vlerësua bashkëpunimi i deritanishëm ushtarak dhe ai në fushën civile, ndërsa u veçua bashkëpunimi ndërmjet universiteteve të të dyja vendeve. Në emër të delegacionit të Iowa-s, ish-gjenerali Orr u falënderua për mbështetjen e vazhdueshme të Qeverisë së Republikës së Kosovës për këtë partneritet”.

Në këtë takim kanë marrë pjesë edhe Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, dhe shefi i Misionit në Konsullatën e Iowa-s, Artan Duraku.

Ndër të tjera është theksuar gatishmëria e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të zgjeruar bashkëpunimin dhe forcuar partneritetin, në të gjitha fushat zhvillimore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore