Shqipëria

Kurti takim me Ramën, fokusi te Marrëveshja e Ohrit


Një e diel pune do të jetë kjo e 25 marsit për kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe homologun e tij të Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti.

Ky i fundit së bashku me disa nga ministrat e kabinetit do të zbarkojë në Tiranë, ku pritet të ketë një takim kokë më kohë me Ramën.

Po ashtu mësohet se në orën 11:30 kryeministri i Kosovës do të pritet në kryesinë e Kuvendit nga vetë kryetarja e këtij institucioni, Lindita Nikolla.

Edhe pse ende nuk janë ndarë detaje nga ky takim, Albanian Post ka bërë me dije se fokus diskutimi pritet të jetë marrëveshja që u arrit në Ohër mes Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Kurti një vizitë të ngjashme e kishte bërë edhe më 13 tetor të 2022.

Dy liderët pas takimit me dyer të mbyllura nuk kishin dhënë asnjë prononcim për mediat.

Mes tyre, takimi i fundit ka qenë mbledhja e dy qeverive në Prishtinë, ku të dy palët firmosën një sërë marrëveshjesh për bashkëpunimin mes tyre.

Kosova dhe Serbia u pajtuan më 18 mars, në Ohër, që të fillojnë zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e raporteve sa më shpejt që të jetë e mundur. Megjithatë, atë nuk e nënshkruan zyrtarisht.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, u pajtuan paraprakisht më 27 shkurt me planin 11-pikësh të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve që për diplomacinë perëndimore vlerësohet shumë e rëndësishme dhe një sukses pas agresionit rus në Ukrainë.

Tani Bashkimi Evropian duhet të gjejë rrugë për t’i bindur palët që ta kuptojnë Marrëveshjen si obligim, dhe t’i implementojnë të gjitha pikat.

Në rastin e Serbisë, mendohet të bëhet përmes përfshirjes së Marrëveshjes në kornizën e negociatave të anëtarësimit në BE, ndërsa për Kosovën në Komisionin për Normalizim.

Kjo Marrëveshje nuk e përfshinë njohjen reciproke mes të dy vendeve, por kërkon nga të dyja që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat e veturave.

Po ashtu, nga palët kërkohet që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Kurti udhëton në Tiranë më 26 mars

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore