Lajme

Kurti soditë artin


Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar se së bashku me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, kanë bërë vizita në qendra të artit, në Galerinë Kombëtare dhe Galerinë e Ministrisë së Kulturës.

“Bashkë me Kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, deputetët Fitim Uka dhe Ardian Gola dhe këshilltarin politik Liburn Jupolli patëm rastin të zbulojmë botën e harruar dhe “të fshehur” të një epoke të tërë nga vitet e 70-ta të shekullit të kaluar e deri tek vitet e pasluftës me ekspozitën e veprave të Hotel Grand, të cilat u bënë pjesë e fondit të Galerisë Kombëtare në vitin 2020. Aty u pritëm nga Kryetarja e Këshillit Drejtues të GKK-së Zake Prelvukaj dhe u.d. Drejtori i GKK-së Naim Spahiu”, shkroi ministri Çeku.

Në këtë ekspozitë, shpjegon ministri Çeku, përfshihen veprat e “emrave kulmorë të artit si Shyqri Nimani, Agim Çavdarbasha, Fatmir Krypa, Gjelosh Gjokaj, Mikel Gjokaj, Muslim Mulliqi, Rexhep Ferri e Simon Shiroka”.

Ndërsa vizitën e dytë në ekspozetë e artit, udhëheqësia e politikës kosovare, e bënë te Galeria e Ministrisë së Kulturës, duke soditur dhe reflektuar veprat artistike.

“Vizitën e dytë e realizuam në Galerinë e Ministrisë së Kulturës, te Qafa. Aty zbuluam botën e veçantë të Adem Dërmakut, një zë me shumë karakter dhe një gjuhë shprehëse pamore që përshkon tregime nga personale deri tek ato shoqërore të një personaliteti që vepron jashtë Kosovës, përplot me tregime për Kosovën. Ekspozita “Nuk është diçka e njëanshme” është kuruar nga Eleni Laperi, ndërsa sot në Galeri u pritëm nga koordinatorja Dhurata Ramosaj”, përfundoi ministri Çeku.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore