Lajme

Kurti shkarkon Shpend Tërdevaj nga pozita e sekretarit të Këshillit të Sigurisë së Kosovës


Sekretari i Këshillit të Sigurisë së Kosovës, Shpend Tërdevaj dhe ministri i Punëve të Brendshme Agim Veliu.

Shpend Tërdevaj, Sekretar i Këshillit të Sigurisë së Kosovës, është shkarkuar të mërkurën nga kjo pozitë me vendim të Qeverisë së Kosovës.

Sipas kryeministrit Kurti, procedura e rekrutimit në punë të Tërdevajt në pozitën e Sekretarit të KSK-së, ishte bërë duke shpërfillur procedurat.

“Nisur nga fakti se rekrutimi i Z.Tërdevaj është bërë në shpërputhje me dispozitat ligjore në fuqi, është e domosdoshme që vendimi të shfuqizohet me qëllim të kthimit të ligjshmërisë”, tha Kurti.

Ndërsa bëri të ditur se funksionin e sekretarit të përgjithshëm të Këshillit të Sigurisë do ta ushtrojë përkohësisht një zëvendësues.

“Pozita në fjalë do të mbulohet nga një zëvendësues i përkohshëm”, tha Kurti, duke paralajmëruar se do të ketë konkurs për këtë pozitë.

Shpend Tërdevaj më parë ka qenë funksionar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Në vitin 2007, ai kishte garuar për Asamblenë Komunale të Klinës nga radhët e LDK-së, ndërkaq nga 2007 deri më 2010 në Qeverinë Thaçi 2 pjesë e së cilës ishte edhe LDK ai ishte emëruar zëvendësministër i MAPL-së.

Në shtator të vitit 2020, kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti në atë kohë e emëroi Tërdevajn në pozitën e sekretarit të KSK-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore