Lajme

Kurti: SHBA-ja na do neve më shumë sesa mendojnë njerëzit


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Shtetet e Bashkuara e duan Kosovën më shumë sesa mendojnë njerëzit, e sidomos nëse nuk je i korruptuar.

Kurti u shpreh se SHBA-ja nuk dëshiron të merr vendime në vend të Kosovës. Sipas kryeministrit, forcimi i shtetit të Kosovës, e forcon edhe aleancën me SHBA-në.

“Ne jemi aleat dhe partnerë me SHBA-në, që kanë pasur rol të jashtëzakonshëm për Kosovën. SHBA-ja nuk dëshiron të marrin vendime për neve, në vend tonin. Ata dëshirojnë që ne të forcohemi. Forcimi i shtetit të Kosovës, sipas meje, forcon edhe aleancën mes nesh”.

“Çdo zyrtar amerikan që takoj, përfshirë Blinkenin, kemi diskutuar për luftimin e krimit dhe korrupsionit. Vazhdimi flas për luftimin e krimit e korrupsionit, për procesin e vetingut”.

“Asnjëherë kur i kam thënë këto, asnjëri prej tyre nuk ma ka ndërprerë fjalinë. Është detyrë e imja ta përfaqësojë Kosovën, për këtë paguhem. Kemi kryer 500 operacione policore. Ata e njohin Kosovën, i dinë edhe të arritura tona, por është shumë e rëndësishme që t’iu them, nuk më kanë ndërprerë asnjëherë ose nuk e kanë ndërruar temën”.

“SHBA-ja na do neve më shumë sesa mendojnë njerëzit. Ka mundësi që kanë më pak respekt kur je i korruptuar, por mua më respektojnë shumë”, potencoi Kurti.

Kurti: Dallimet me Ramën nuk na bëjnë kundërshtarë

Kryeministri Albin Kurti vlerëson se raportet me Kosovës dhe Shqipërisë janë ndër më të mirat dhe përtej raporteve të dy kryeministrave. Ai ka thënë se dallimet me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën, nuk i bënë kundërshtarë në asnjë mënyrë.

“Nuk pajtohemi sa i përket iniciativës për Ballkanin e Hapur, por mospajtimet tjera në raportet mes dy shteteve tona janë fare të vogla ose të dorës së dytë”, ka thënë kryeministri Kurti.

Ai ka shtuar se nuk ka ndryshuar bindjet për bashkimin kombëtar. Nëse do t’i heqë pengesat ligjore e kushtetuese për ta arritur një gjë të tillë, Kurti është përgjigjur se “shumëçka do të bëjmë në vitet në vijim”.

Shtoi se dakordimi në një bashkësi e dy shteteve do të ishte shumë e vështirë se që duket.

“Kosova dhe Shqipëria kanë popullsi dërrmuese të të njëjtit komb dhe po e shihni sa po na duhet harmonizim edhe për marrëveshje që i kemi bërë si shtete të ndara e lëre më për dakordime që nevojiten për një bashkim në një federatë të përbashkët”.

Kurti: Para se të rriten pagat, të rritet punësimi

“Rritja ekonomike, para se të reflektohet në rritje page, duhet të reflektohet në rritje punësimi”, ka deklaruar Kurti.

Për këtë, kryeministri mori shembullin se si në Kosovë vetëm një në tetë grua punon.

“Rritja ekonomike para se të reflektohet në rritje page, duhet të reflektohet në rritje punësimi. Shikoni në çfarë situate jemi. Vetëm një në tetë gra punojnë, e qendra e debatit është rritja e pagave”.

“Me Sindikatat e Pavarura nuk kemi probleme, mund të kemi mospajtime. Nuk bën të identifikohet BSPK-ja me disa individë. Nesër do ta takojë kryetarin e BSPK-së Atdhe Hykollin dhe do të diskutojmë hapur për të gjitha çështjet”, përfundoi Kurti.

Kurti e pranon se VV-ja “mbase” s’ia ka qëlluar me kandidaturat në zgjedhjet lokale

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka pranuar se partia që udhëheq, Lëvizja Vetëvendosje, nuk ia ka qëlluar me kandidaturat për kryetarë komunash në zgjedhjet lokale të këtij viti.

Kurti ka thënë se kanë mundur të kishin kandidatë më të mirë në zgjedhjet e 14 tetorit, por jo në ato të 17 nëntorit, pasi Kurti vlerësoi se, 12 kandidaturat e balotazhit ishin më të denjët e mundshëm.

“Së pari, Prishtinën në kuptimin që ju thoni e kemi humbur në vitin 2018 dhe në anën tjetër një palë zgjedhje prapa atyre parlamentare. Në vitin 2013 kemi marrë pjesë në zgjedhjet e para lokale, nuk kishim elektorat. Kjo na ka imponuar të merremi me çështjet shoqërore, të socio-ekonomisë, por jo me çështjet lokale. Në vitin 2017, kemi fituar tri komuna, ndërsa në 2018 i humbëm dy e tani i kemi 4”.

“Me votë të gjithmbarshme jemi të parët, edhe në ato lokale. Zgjedhjet parlamentare dhe lokale kanë logjika krejtësisht të ndryshme dhe rregullsi të ndryshme, dallojnë njëra nga tjetra. Është evidente se nuk ka ekzistuar situata e 14 shkurtit të këtij viti, atëherë kur lista jonë kishte tre politikanë që drejtojnë tre institucione të ndryshme”.

“Në këto zgjedhje lokale, kemi pasur dy komuna ku ka fituar VV-ja, në Shtime dhe Gjilan, ku kishim kryetar të këtyre partive të vjetra dhe që ishin në pushtet për një kohë të gjatë. E mundësuam edhe aty rotacionin demokratik. Aty ku fiton VV-ja, ne etablojmë ndryshimin si vlerë. Nuk besoj që ka qenë e mundur të kemi kandidatë më të denjë se këta 12 që kishim në balotazh”.

“Nuk kemi gjithë të gjithë dakord me kandidaturat. Ato kanë ardhur nga bazat, nga diskutimet që kanë ardhur në Kryesi. Nuk ka pas unanimitet për ta. Kemi mundur të kemi pasur kandidatë më të mirë në zgjedhjet e 14 tetorit, por jo në ato të 17 nëntorit”, ka thënë Kurti në “Desku” të KTV-së.

Kryeministri si “fajtor” për dështimin në zgjedhjet lokale e sheh strukturën organizative të Vetëvendosjes, por shtoi se mban përgjegjësi.

“Nuk jemi të kënaqur me rezultatin. Është dashur të fitojmë më shumë. Jemi ku jemi, ndoshta synimet tona ishin më të larta se sa ishim të organizuar. Kemi tash katër vjet që s’kemi mbajtur zgjedhje të brendshme. Fakti tjetër që ka ndikuar është fakti që ishim të impenjuar me qeverisjen dhe menaxhimin e pandemisë për herë të dytë”.

“Ne shteruam më shumë energji në qeverisje sesa në strukturë organizative. Mbaj përgjegjësi. Mbase për 14 shkurt nuk kam aq merita sa thonë, ndërkaq për 14 nëntorin me siguri se mbaj përgjegjësi”, deklaroi Kurti.

Kurti e konsideron veten kryeministrin më transparent që ka pasur Kosova

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, konsideron se është kryeministri më transparent që ka pasur Kosova.

Mungesën nëpër studio televizive ai e ka arsyetuar me konferencat për media pas mbledhjeve të Qeverisë e përgjigjet në seancat parlamentare ndaj pyetjeve të deputetëve.

“Unë kam qenë shpesh në konferenca për media pas mbledhjeve të Qeverisë ose edhe pa to. Jam edhe kryeministri që u jam përgjigjur më së shumti pyetjeve parlamentare ku duhet të jap llogari”.

“Mbase s’ka pasur të tjerë që u përgjigjet të gjitha pyetjeve. I kemi pasur 120 konferenca për media për tetë muaj që i bie çdo të dytën ditë nga një konferencë e ndonjë ministri, timen apo zëvendësministri. Në kuptimin e transparencës s’kemi ngecur e as për qasjen në dokumente zyrtare. 441 kërkesa të gazetarëve dhe zyra e kryeministrit i është përgjigjur 406 sosh. Vetëm 35 janë konsideruar të pabazuara”, ka thënë ai.

Sipas tij, paraqitjet më të shpeshta në mediat ndërkombëtare janë bërë me qëllim të “restaurimit të imazhit të Kosovës”.

Ai ka thënë se Vetëvendosje dhe vetë si kryeministër s’kanë ndërruar qëndrim ndaj gazetarëve pas ardhjes në pushtet.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore