Lajme

Kurti s’flet për aktakuzën ndaj ministrit Aliu – PDK kërkon dorëheqje


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka pranuar të flasë kur është pyetur nga gazetarët për aktakuzën për keqpërdorim i detyrës zyrtare ndaj Ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.

“Te ky vend i dëshmorëve nuk mund të flasim për politika të ditës”, ka thënë ai.

Kurti ka bërë homazhe bashkë me kabinetin qeveritar në kompleksin memorial “Dëshmorët e kombit” në Gllogjan.

Në këtë organizim ka marrë pjesë edhe ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu për të cilin është bërë e ditur dje se ka aktakuzë të konfirmuar.

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu në Qeverinë Kurti 2, rezulton se është i akuzuar për keqpërdorim i detyrës zyrtare.

Kjo aktakuzë e ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 24 korrik 2020, e ngarkon Aliun me veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare gjatë kohës kur ai ushtronte detyrën e Drejtorit të Drejtorisë së Urbanizmit në Komunën e Prishtinës.

Ndërkohë, Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar shkarkimin e ministrit të Mjedisit, Liburn Aliu.

Betim Gjoshi nga PDK-ja ka thënë se Aliu duhet të japë dorëheqje, ose kryeministri Albin Kurti duhet ta shkarkojë.

“Bëhu ministri i parë që jep dorëheqjen në ditën e parë të punës. Albin Kurti duhet ta jap shembullin nga shtëpia e tij. Ai duhet ta shkarkojë nga detyra z. Aliu, për të treguar shembullin se nuk është një demagog më shumë në qytetin tonë. Pavarësisht se jemi kundërshtarë politik, ju z. Kurti duhet të merrni shembujt e mirë nga z. Kadri Veseli”, ka shkruar Gjoshi në Facebook.

Lidhur me këtë reagoi vetë Liburn Aliu i cili tha se një aktakuzë të tillë nuk e ka pranuar asnjëherë.

Por, këtë lajm e ka demantuar Prokuroria Themelore në Prishtinë, ku përmes një njoftimi bëri të ditur se Aliu ka qenë i pajisur me aktakuzën.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore