Lajme

Kurti s’e mohon “kornizën e re” të publikuar nga Albanian Post: S’është e dobishme ta komentoj


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka refuzuar ta komentojë “kornizën e re” të dialogut e publikuar nga Albanian Post, në të cilën bëhej e ditur se në vitin 2023 duhet të nënshkruhet marrëveshja e dytë për normalizim të marrëdhënieve, pas asaj të vitit 2013, me të cilën Serbia faktikisht e pranon realitetin e Kosovës shtet të pavarur, por nuk e njeh formalisht.

Sipas Kurtit, ai nuk mund të komentoj dokumentet të cilat nuk kanë autorë.

“Qarkullojnë dokumente të ndryshme mirëpo unë besoj që nuk është as e dobishme as e drejtë që unë t’i komentojë ato dokumente që nuk kanë autorë dhe bëhen për të matur pulsin e qytetarëve dhe të politikanëve”, ka deklaruar Kurti, në një konferencë për media pas Samitit Digjital për Ballkanit Perëndimor.

Për të parin e ekzekutivit, dokumentet për t’u komentuar janë vetëm ato dokumente të cilat prodhohen në kuadër të dialogut në Bruksel.

“Vetëm dokumentet që prodhohen në dialogun në Bruksel duhet të merrni si zyrtare dhe të denja për tu komentuar nga ana ime, unë nganjëherë do të thoshe edhe nga ana juaj, pra nuk është mirë që të bëjmë komente për komente të cilët autori nuk i dihet”, ka shtuar ai.

Kurti, pasi ka ikur komentimit të “kornizës së re” të publikuar nga Albanian Post e cila është paraqitur e i përpiluar pas angazhimit të këshilltarëve të presidentit Emmanuel Macron dhe kancelarit Olaf Scholz, palëve respektive në dialog, ka thënë se normalizimi i raporteve duhet të bëhet me një marrëveshje ligjërisht të obligueshme, që në qendër të saj është njohja reciproke.

“Së pari është evidente që Kosova është vendi më demokratik dhe më i pavarur në Ballkanin Perëndimor, këtë e thonë edhe organizatat e ndryshme. Ne jemi shtet sovran më sovran se Serbia, pasi që ajo ka varësi nga Rusia”.

Ekskluzive, “korniza e re” në dialog: Marrëveshje përmbajtësore vitin e ardhshëm, finalja pas 10 vjetësh – Kosova fiton njohje nga 5-shja e BE’së, anëtarësim në organizata; Serbia përfiton ndihma masive

Të dielën e 18 shtatorit, Albanian Post publikoi dokumentin katër faqesh i cili paraqiste planin në kornizën e re për marrëveshje në mes të Kosovës e Serbisë, i përpiluar pas angazhimit të këshilltarëve të presidentit Emmanuel Macron dhe kancelarit Olaf Scholz, të cilin e ka siguruar Albanian Post.

Aty thuhet se në vitin 2023 duhet të nënshkruhet marrëveshja e dytë për normalizim të marrëdhënieve, pas asaj të vitit 2013, me të cilën Serbia faktikisht e pranon realitetin e Kosovës shtet të pavarur, por nuk e njeh formalisht.

Në një fazë të mëvonshme, hipotetikisht pas 10 vitesh, atëherë kur BE-ja është e gatshme të zgjerohet dhe ta përfshijë Ballkanin perëndimor, arrihet marrëveshja për njohje të ndërsjellë, si parakusht i të dy shteteve për anëtarësim në BE.

Me marrëveshjen e vitit të ardhshëm (nëse pranohet propozimi) Kosovën e pranojnë edhe pesë shtetet që akoma nuk e kanë njohur të Bashkimit Evropian, kurse Serbia do të përfitojë një ndihmë masive financiare, asistencë ekonomike dhe do njihet si fuqia e rajonit.

“Korniza e re” të cilën e publikoi Albanian Post është propozimi i ri i ardhur direkt nga përfshirja e Macron e Scholz në procesin e dialogut, sepse siç thuhet në dokument “Kosova e Serbia në vete nuk do të mund ta zgjidhin kurrë problemin”.

Dokumenti shpjegon logjikën prapa kornizës së re, përmban vizionin 10 vjeçar të zgjidhjes së problemit dhe jep një “makro-perspektivë”.

Përbëhet nga hyrja dhe më pas është i ndarë në tri segmente bashkë me tre nën-titujt që përmbajnë 13 pika.

Të gjitha segmentet shpjegojnë të ashtuquajturën “kornizën e re”, e cila u është prezantuar Albin Kurtit e Aleksandër Vuçiç-it. Këtë kornizë, publikisht, e ka pranuar vetëm Presidenti serb Vuçiç pas vizitës së dy këshilltarëve në Beograd.

Propozimi në fund parasheh edhe si të vazhdohet tutje nëse Kosova dhe Serbia nuk pranojnë këtë propozim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore