Kosova

Kurti s’e mohon bisedën me amerikanët për raketa me rreze 10 km


Ilustrim

Lajmin e dhënë në disa media pro-pushtetit në Serbi, se kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka zhvilluar takim të fshehtë me ambasadorët e vendeve të QUINT-it në Prishtinë të enjten e 22 shtatorit, ku u ka kërkuar atyre edhe armë me rreze të gjatë veprimi, nuk e ka mohuar vetë ai – Albin Kurti.

Kurti duke mos dashur t’i komentoj këto pretendime të disa mediave pro-Vuçiç në Serbi, ka deklaruar shkurt se për çështjet e mbrojtjes dhe sigurisë në Kosovë flet ministri i Mbrojtjes e ai i Brendshëm.

“Ne jemi qeveri demokratike, progresiste, e shpresës. Ndërkohë që përballemi me fqinjët verior, që udhëhiqet nga një president i frikës dhe i kërcënimit, që përveç se udhëheq me një shtet në mënyrë jo demokratike dhe nuk e njeh Kosovën dhe krimet të cilat i ka kryer regjimi i Millosheviçit në Kosovë”, ka thënë Kurti.

Për Kurtin, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, përveç se nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe krimet e bëra nga regjimi kriminal i Slobodan Millosheviç’it, mban edhe lidhje shumë të ngushta me federatën ruse.

E një gjë e tillë, sipas të parit të ekzekutivit shpërfaqet së fundmi me marrëveshjen e nënshkruar ndërmjet ministrit të punëve të jashtme të Serbisë dhe asaj të Rusisë, e cila duhet t’i alarmojë kryeqendrat perëndimore.

Ndryshe raportimin e mediumi pro-Vuçiç, nuk e ka mohuar as Aleksandër Vuçiç.

“E di se cila është e vërteta, jam në dijeni”, ka thënë Vuçiç, duke iu referuar lajmit të mediumit serb Novosti.

Mediumi i afërt me Vuçiç-in: Amerikanët dhe britanikët i kanë premtuar Kurtit raketa

“Njerëzit që nuk e kanë lexuar lajmin duhet ta dinë se çfarë thuhet – se kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka kërkuar artileri për rreze më të mëdha se 10 kilometra”, tha Vuçiç në intervistë për TV Pink.

Duke u thirrur në “burime diplomatike”, ky medium shkruan se ndër kërkesat e kreut të qeverisë së Kosovës, ka qenë edhe “përfshirja e raketave me rreze veprimi deri në 10 kilometra, në pakon e fundit të ndihmës ushtarake amerikane e prezantuar fillimisht nga Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken”.

Ndërkaq, “diplomatët perëndimorë i kanë garantuar Kurtit që këto çështje do t’i shtrojnë tek organet ushtarake dhe politike në Washington dhe në Londër”.

“Përfaqësuesi i Amerikës theksoi se kërkesa e Kosovës që ndër të tjera të përfshijë sistemin e mbrojtjes për bazat e reja në veri të Kosovës – në ndihmat ushtarake të destinuara për to – do të pranohet dhe se SHBA-të do t’i furnizojë me tre sisteme të tilla”.

Kërkesë tjetër, gjithnjë sipas mediumit serb, ishte edhe pajisja me koordinatat e pikave ku potencialisht janë të vendosur njësitë serbe.

“Në fund, Kurti kërkoi nga diplomatët e QUINT-it që forcat ndërkombëtare dhe strukturat e tyre të inteligjencës t’u dorëzojnë institucioneve në Prishtinë koordinatat e vendeve ku janë stacionuar forcat ushtarake dhe policore të Serbisë gjatë patrullimit të tyre ditorë, për të cilat përfaqësuesi i Britanisë së Madhe tha do t’ia përcjellë një kërkesë të tillë autoriteteve kompetente për miratim”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore