Kurti: Regjimi i vjetër po financon media me para të pista për të frikësuar të tjerët

Albin Kurti në një fjalim në New York ka sulmuar qeveritë e kaluara e mediat e ndryshme në Kosovë për kinse frikësim të qytetarëve, gjë që sipas tij përbën "aktivitet kriminal e ilegal".
SHFLETO

Albin Kurti në Presidiumin vjetor të Internacionales Socialiste

 

Dreni Himbeqa
27.09.2024 17:57
Loading Icons...

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një fjalim në Presidiumin vjetor të Internacionales Socialiste, ka akuzuar partitë opozitare se po financojnë media të ndryshme me paratë e pista.

“Regjimi i vjetër ka humbur fuqinë e vet politike, por jo edhe paratë e tyre të pista”, ka thënë Kurti.

Në vlerësimin e tij partitë opozitare – të cilët kanë qenë në pushtet njëherë e një kohë – po frikësohen nga Byroja për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, prandaj po synojnë “të frikësojnë edhe të tjerët”, duke shpërndarë para “tek media të caktuara online që krijojnë shumë lajme të rreme e dezinformata”.

“Kështu, kur ne problematizojmë çështjen e lajmeve të rreme e dezinformatave, ndoshta është mirë të ndjekim edhe udhëzimin e vlefshëm amerikan ‘me i ndjekë paratë’, për shkak se këta që krijojnë lajme të rreme e dezinformata, nuk e bëjnë këtë në baza vullnetare. Dikush, diku, disi i paguan për këtë, dhe kjo përbën aktivitet kriminal e ilegal të cilin ne, si shtete socialiste e socialdemokrate, duhet ta ndjekim”, ka shtuar ai.

Gjatë fjalimit të tij ai ka lavdëruar qeverisjen e tij gati katërvjeçare duke potencuar se nuk ka “më grupe apo individë në Kosovë që mund të sfidojnë republikën tonë demokratike”.

“Nuk kemi burime të brendshme destabilizuese apo që kërcënojnë sigurinë e që agjencitë tona të sigurisë nuk mund ta menaxhojnë apo kontrollojnë”, ka shtuar ai.