Kosova

Kurti për raportet me ShBA-në gjatë vizitës në Klinikën e Urologjisë: Pyetja s’ka lidhje me këtë klinik


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës në Klinikën e Urologjisë është pyetur nga gazetarët për raportet e tij me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por ky i fundit nuk ka pranuar të përgjigjet.

“Këtu jemi në Klinikën e Urologjisë, kjo nuk ka lidhje me këtë klinik, më pas nga këtu do të shkoj në Malishevë dhe do ta vizitoj një fermer. Pasdite do ta kemi një mbledhje të qeverisë, mbase atje do të jetë vendi për pyetje të tjera”, tha Kurti para gazetarëve.

Ndryshe, Kurti i shoqëruar nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka marrë pjesë në përurimin e Kininës së Urologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Kryeministri kosovar ka theksuar se renovimet kanë qenë të domosdoshme meqë sipas tij, investime nuk ka pasur qe 20 vjet.

“Secila dhomë e ka klimatizimin qendror, e ka furnizimin me oksigjen dhe e ka mundësin për ta thirrur në çdo kohë infermierin prej shtrati ku ndodhet pacienti dhe në të njëjtën kohë ka edhe riparim tejet të rëndësishëm të tualeteve, me ç’rast e kemi edhe një shtesë për personat me aftësi të kufizuar”, tha Kurti.

Ndërkaq ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, paralajmëroi që nga java e ardhshme do të hapen edhe sallat operative të Urologjisë.

“Në javën tjetër do të hapen edhe sallat operative të Urologjisë dhe në këtë mënyrë Urologjia nga klinika më problematike në aspektin infrastrukturor në bllokun operativ, po bëhet klinika model në QKUK”, u shpreh Vitia.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore