Lajme

Kurti: Prekazi, kryeqytet i kryengritjes sonë kombëtare


Pas pranimit të detyrës si kryeministër i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë homazhe në Memorialin “Adem Jashari”, në Prekaz, vend ky të cilin Kurti e quan “heroik e historik”.

“Çdo herë kur marrim detyra të rëndësishme shtetërore, çdo pozitë e lartë institucionale duhet të themelohet mbi kthimin dhe rikthimin te Jasharajt, te Prekazi dhe të ky kryeqytet i kryengritjes sonë kombëtare”, ka thënë Kurti para mediave.

Kurti pas vendosjes së kurorave me lule tek varri i heronjve, Adem dhe Hamëz Jashari, ka bërë homazhe edhe te varret e gjithsejtë 59 të rënëve në Epopenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me pesë, gjashtë dhe shtatë mars të vitit 1998.

“Lavdi të gjithë heronjve, dëshmorëve e martirëve të kombit, falë të cilëve ne sot jemi edhe të gjallë edhe gëzojmë lirinë që e kemi”, u shpreh ai.

Kryeministri Kurti, ishte i shoqëruar edhe me ushtruesin e detyrës së presidentit dhe kryetarin e ri të kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, si dhe me kryetarin e komunës së Skenderajt, Bekim Jashari.

Në një fjalim të shkurtër, Konjufca tha se Prekazi është vendi ku më 1998, u ringjall kombi shqiptar dhe sakrifica e familjes Jashari e lëvizi gjithë botën.

“Jemi këtu që të përkulemi para sakrificës së madhe të familjes Jashari, e cila e bëri botën të rreshtohet në anën e interesit të kombit shqiptar”, u shpreh Konjufca.

Sipas tij, pikërisht për këtë arsye “do të jetë i përhershëm e i përjetshëm kujtimi i gjithë kombit shqiptar për këtë sakrificë të madhe të kësaj familje”, tha Konjufca.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore