Lajme

Kurti: Po, Marrëveshja ka Asociacion


Albin Kurti gjatë intervistës në RTK

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës, ka deklaruar se Plani Evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë nuk ka qënë synim i tij, por megjithatë e ka konsideruar si bazë të mirë për të vazhduar përpara.

“A është kjo ajo çfarë do të paraqiste një marrëveshje e shkëlqyer? Jo. Unë e kam konceptuar në njërën anë si njohje defacto dhe në anën tjetër si mundësi për të ecur përpara. Nuk na mbyllë rrugën përpara. Nuk ta ulë tavanin, por ta forcon dyshemenë”, tha Kurti.

Plani Evropian nuk e përfshinë njohjen reciproke mes të dy vendeve, por kërkohet që palët t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Unë mund të kem problem faktin që mund të ketë edhe gjëra të tjera që mund të përfshiheshin këtu. Pra, që nuk mund të përjashtohen. Por, është bazë e mirë dhe nuk mendoj që ka dicka substanciale për ta bërë të papranueshme”, tha Kurti.

Kurti e ka identifikuar veten mbi bazën e kundërshtimit të formimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe që prej kur u arrit Marrëveshja e Brukselit në vitin 2013, por në këtë intervistë tha se edhe në këtë marrëveshje parashihet themelimi i këtij mekanizmi për serbët e Kosovës.

“Po, ka Asociacion [të komunave me shumicë serbe”, tha shkurt Kurti, duke iu referuar nenin 10 të Marrëveshjes për rrugën e normalizimin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku kërkohet që palët t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në kuadër të dialogut.

Ai iu është përgjigjur edhe kritikave të partive opozitare për pajtimin që arriti në Ohër me Presidentin e Serbisë për Aneksin zbatues të Planit Evropian, por në të njëjtën kohë kritikoi edhe analistët politikë.

“Ne e dimë çka na kanë sjellë kta. Unë mendoj që mos të ishin këto marrëveshje çka do të thoshte Serbia. Serbia nuk ka argumente, përveç aragumenteve që ua kanë dhënë paraardhësit e mi”, theksoi kreu i ekzekutivit.

“Tash duhet kreativitet që vetëmenaxhimin ta bëjmë Asociacion. Të gjithë janë bërë artista që vetëmenaxhimin e bëjnë Asociacion. Në vend që ta mbështesin ofensiven e Kosovës me nenet e para, ata kapen pas një fjalë që nuk është aty”, deklaroi Kurti.

Ai ka deklaruar se vetëmenaxhimi i komuniteti serb në Kosovë nuk nënkupton vetadministrim dhe as vetëqeverisje, duke shtuar se vetëmenaxhimi i komunitetit serb do të ndodhë brenda sistemit kushtetues.

“Besoj që edhe niveli i përshtatshëm i vetëmenaxhimit të komunitetit serb ën Kosovë do të mund të zgjidhet për të mirën e të gjithë serbëve pa rrezikuar rendin juridik e kushtetues të Kosovës, duke i shërbyes demokracisë por natyrisht edhe duke i pranuar ofertat që i bëj unë”.

“Vetëmenaxhim nuk është vetëadministrim, nuk është vetëqeverisje. Është vetëmenaxhim. Dhe këtu thotë vetëmenaxhim i komunitetit serb, jo i komunave me shumicë serbe”, shtoi ndër të tjera ai.

Ai bëri të ditur se më 18 mars në Ohër, përfaqësuesve evropianë, Miroslav Lajçak-ut dhe Josep Borrell-it ua ka paraqitur tri shtylla të cilat, sipas tij, duhet të pranoheshin në mënyrë që ai ta japë modelin për vetëmenaxhim.

“Nëse ju jeni dakord me Kushtetutën e Kosovës dhe me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, me qëndrimin evropian dhe me qëndrimin amerikan, unë nesër ua sjellë draftin e Statutit. Ju kam thënë se do t’ua sjellë një propozim që s’do të keni mundësi ta refuzoni, por e refuzuan edhe idenë”, tha ai

“Nëse do të kishim dakordim për këto tri shtylla kushtetueshmëria republikane, demokratike dhe vlerat, qëndrimi amerikan dhe qëndrimi evropian, kur i pranon këto unë nesër e japë modelin”, shtoi Kurti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore