Lajme

Kurti për zgjedhjet në Malin e Zi: Nëse humbë Gjukanoviç, hapet rruga për zhdukjen e kombit malazez


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për Klan Kosova, shprehu brengën e tij të madhe për raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Malin e Zi, të cilat do të mbahen më 2 prill, ku garojnë presidenti aktual, Milo Gjukanoviç dhe Jakov Milatoviç nga Lëvizja Evropa Tani.

Ekspertët e skenës politike malazeze paralajmërojnë se Milatoviç është evropian me veshje ruse. Edhe pse një intelektual me orientim liberal, ai ishte ministër në qeverinë pro-serbe, e cila ishte mbledhur rreth Kishës Ortodokse Serbe, prandaj kryeministri Kurti ndihet i shqetësuar.

“Nëse fiton kundërkandidati i presidentit aktual, unë besoj që hapet rruga për zhdukjen e kombit malazez. Konkretisht, fitorja e çfarëdo kandidatëve, jo vetëm këtij (Milatoviç) pro-serb e pro-rus, në zgjedhjet e majit që do të jenë pastaj, do të shënoj fitoren e radhës së Kishës Ortodokse Serbe”, tha Kurti.

Kurti tha se që nga përfundimi i luftës së fundit në Kosovë, askush nga liderët e tjerë nuk e ka mbrojtur shtetin në arenën ndërkombëtare më mirë kundër Serbisë sesa Presidentja Vjosa Osmani dhe shefja e diplomacisë, Donika Gërvalla.

“Nuk ka denoncues dhe kundërshtues më të madh të aspektit gjenocidial të Serbisë në Kosovë, jo vetëm në luftën e fundit, sesa pushteti aktual dhe këtu i vendosi dy krerët tjerë institucionalë presidenten Osmani, kryeparlamentarin Konjufca dhe ministren Gërvalla”.

“Çfarë kanë bërë presidentja dhe ministrja Gërvalla në arenën ndërkombëtare kundër Serbisë, nuk ka asnjë dyshe në Kosovën e pasluftës. Do të thotë, është punë gjigande kundër Serbisë… Edhe unë kam bërë, por po flas më shumë për ato se për veten tash”, shtoi ai.

Duke komentuar deklaratën e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili pati shprehur gatishmërinë për të vizituar Kosovën, ai tha se këtij të fundit nuk do t’i lejohet hyrja në territorin e Kosovës.

“Unë nuk kam marrë asnjë kërkesë për një vizitë të tillë. Dhe natyrisht, duke pasur parasysh gjendjen, rrethanat në të cilat ndodhemi, ai nuk do të ishte një person i dëshiruar në Kosovë dhe mbase kjo është arsyeja që ai nuk e bënë këtë kërkese”, tha Kurti.

Kur është pyetur për faktin se gjatë qeverisjes së tij dy-vjeçare asnjë shtet nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, madje disa raportohet se e kanë tërhequr njohjen e Kosovës, ai tha se as qeveritë e kaluara nuk kanë bërë më shumë.

“Së pari, neve ndërmjetësit dhe aleatët ndërkombëtarë janë duke na ndihmuar shumë. Unë besoj që është më mirë ta ndjekim këtë rrugë indirekte. Nuk është thjesht në dorën tonë. Sinqerisht, as të tjerët s’kishin bërë më mirë”, u jusifikua Kurti.

Kur është pyetur nëse ai si shef qeverie apo ndokush nga kabineti qeveritar ka nisur së fundi ndonjë letër në adresën e shteteve mosnjohëse, ai tha se s’do të tregojë, sepse sipas tij, kjo do t’i shkaktonte dëm Kosovës, pasi do nxitej reagimi i Serbisë.

“Nëse unë ju tregoj publikisht se kujt i kam shkruar letër javën e kaluar, bëj edhe dëm, sepse menjëherë Serbia i shkruan atij shteti. Nuk kam nevojë të tregoj publikisht se cilit shtet i shkrova së fundmi”, tha Kurti.

“Është e vërtetë që s’kemi asnjë njohje. Nuk varet krejt nga ne, ndërsa ne kemi bërë krejt çka dimë e mundemi. Ju duhet të më mbani përgjegjës për premtimet, jo për dëshirat tuaja”, vazhdoi tutje ai.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për ta shpallur ligjin e hartuar nga Ministria e Drejtësisë nën udhëheqjen e Albulena Haxhiut për Këshillin Prokurorial si anti-kushtetuese, për kryeministrin Kurti, u bë për të minuar “reformat e shumëfishta” të qeverisjes së tij.

Kurti theksoi se Gjykata e Kushtetuese e rrëzoi një ligj i cili kaloi dy herë në Komisionin e Venecias, ndërsa duke komentuar vendimin e fundit të GjK-së për KPK-në, tha se “reformat tona e kanë gjetur një siguresë për t’u zvarritur”.

Ai tha se në këtë gjykatë, po pret të trajtohet edhe ligji për çmimet tavan të produkteve bazë. Kjo, sipas tij, po ndikon në ngritjen e çmimeve të këtyre produkteve, teksa shtoi se opozita nuk po i dërgon ligjet në GjK për të ruajtur kushtetutshmërinë, por veç për të treguar opozitarizëm politik.

“Ligji  i cili e ka kaluar dy herë Komisionin e Venecias, i cili është dakorduar me Ambasadën Amerikane, me Bashkimin Evropian, me të gjithë akterët e shoqërisë civile, dhe nuk mjafton Komisioni i Venecias, por vjen dhe rrëzohet nga Gjykata Kushtetuese”, tha Kurti.

Kryeministri Kurti vlerësoi se në dy vitet e para të tij si kryeministër është arritur ajo që është synuar dhe se përformanca e qeverisjes së tij është e pakrahasueshme me qeverisjet e kaluara.

“Besoj që arritjen janë çfarë kemi synuar, por gjithashtu janë të pakrahasueshme me më herët. Pastaj, gjithashtu janë vitet ku kemi pasur një disiplinë të re fiskale ku qytetarët kanë kontribuar shumë në buxhetin e Republikës. Kjo tregon se çfarë populli jemi dhe çfarë shteti po ndërtojmë”, tha ai.

Kreu i ekzekutivit në këtë intervistë është pyetur edhe për Raportin e Departamentit amerikan të Shtetit, ku flitet për “korrupsion serioz”. Ai tha se përpara “është thënë që korrupsion ka në shumë zyrtarë, tash thotë disa zyrtarë”.

Lajmi në përditësim…

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore