Kurti sërish udhëton drejt Greqisë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Altina Marmullaku
24.10.2023 9:58Për të shtatën herë me radhë prejse është zgjedhur kryeministër i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar drejt Greqisë, ku do të marrë pjesë në panelin diskutues të organizuar nga The Economist.
Lajmi është bërë i ditur nga Zyra e Kryeministrit.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar drejt Greqisë, ku do të marrë pjesë në panelin diskutues të organizuar nga The Economist, me temë ‘Thellimi i Solidaritetit: Si mundet Evropa të dalë më e fuqishme nga trazirat aktuale gjeopolitike?’”.
Gjatë qëndrimit në kryeqendrën helene, është thënë se kryeministri Kurti do të ketë dhe takime bilaterale.
Edhe më 16 korrik, kreu i ekzekutivit kishte udhëtuar për në Greqi ku kishte marrë pjesë në simpoziumin ndërkombëtar SYMI, i cili është themeluar nga ish-kryeministri i Greqisë, George Papandreou dhe organizohet çdo vit.
Prej pesë shteteve anëtare të BE-së që nuk kanë njohur pavarësinë e Kosovës (Spanja, Sllovakia, Rumania dhe Qipro), shteti grek ka luajtur rolin më bashkëpunues diplomatik, duke lehtësuar lëvizjen e qytetarëve, ngritur nivelin e tregtisë dhe duke dërguar e pritur delegacione qeveritare.
Kërkesa e Kosovës për njohje të pavarësisë ekziston në Athinë prej shumë vitesh.
Qeveria e Greqisë gjithashtu është treguar mjaft e hapur për bashkëpunim, duke pritur delegacione kosovare dhe duke bërë shpesh vizita zyrtare në Prishtinë, megjithatë njohja për Kosovën nuk ardhur.
Në një nga deklarimet e tij të mëhershme, Kurti kishte thënë se është afruar njohja nga Greqia, por ai ishte demantuar nga Athina zyrtare që patën mohuar se ka ndryshim të qëndrimit, apo lëvizje në këtë drejtim.