Lajme

Kurti për takimin në Ohër: Jam i interesuar për marrëveshje


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një intervistë për televizionin AlsatM – është shprehur se në takimin e të shtunës së 18 marsit në Ohër me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, është i interesuar për marrëveshje.

“Jam i interesuar për marrëveshje, shkoj me vullnet të mirë, me qëllime të mira dhe gjithashtu me besim të mirë që t’i normalizojmë marrëdhëniet me Serbinë”, deklaroi Kurti.

Tutje, i pari i ekzekutivit potencoi se në Ohër nuk do të ketë kapitullim të Serbisë sepse kjo “tashmë ka ndodhur në Kumanovë më 9 qershor 1999”.

Po ashtu, Kurti i është kundërpërgjigjur deklaratave pesimiste të presidentit serb sa i përket nënshkrimit të mundshëm të planit të zbatimit të Marrëveshjes Bazë për Normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, duke e konsideruar këtë një qasje jokonstruktive dhe jo përkushtuese nga pala serbe.

“Edhe unë e dëgjova këtë deklaratë që refuzohet apriori propozimi i një marrëveshje në Ohër. Unë nuk mendoj që kjo është qasje konstruktive dhe që dëshmon përkushtim. Nuk po them që nëse nuk ka nënshkrim atëherë kemi nënshkruar mosmarrëveshjen, por nuk mund të them se edhe pa nënshkrim mund të quhet marrëveshje me gjithë mend”, shtoi Kurti.

Ndërkaq, pozicionin e tij për këtë çështje, ai e konsideroi “konstruktiv dhe kreativ dhe që shkoj me vullnet, qëllim dhe besim të mirë”, dhe nënvizoi se “natyrisht që këtë nuk mund ta garantoj edhe për palën tjetër”.

Ndryshe, më 14 mars, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se është optimist për takimin e radhës me Serbinë që zhvillohet më 18 mars në Ohër, mirëpo që nuk varet gjithçka nga ai.

“Unë kam ofruar që edhe më 27 shkurt, në Bruksel ta nënshkruajmë propozimin e Bashkimit Evropian, mirëpo pala tjetër nuk ka qenë as e gatshme, as e interesuar”.

Kurse, më 13 mars, presidenti i Serbisë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç tha se “nuk planifikon të nënshkruajë asgjë në takimin e 18 marsit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti”.

Në propozimin franko-gjerman për normalizim, të pranuar nga Kosova dhe Serbia, që përbëhet nga 11 nene, nuk janë përmendur në mënyrë eksplicite as marrëveshjet për themelimin e Asociacionit, e as njohja e ndërsjellë, që Qeveria e Kosovës ka thënë se duhet të jetë në qendër të një marrëveshjeje eventuale për normalizim të raporteve.

Por, në nenin 2 të propozimit përmendet që palët duhet të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës.

Po ashtu, propozimi përfshin zotimin e palëve për t’i respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe përkushtimin e tyre për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore