Lajme

Kurti për humbjen e Bahtirit: “Mbase nuk e kemi ndihmuar mjaftueshëm”


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ish-kryetari i Komunës së Mitrovicës Jugore, Agim Bahtiri

“Mbase nuk e kemi ndihmuar mjaftueshëm”.

Kështu e ka komentuar humbjen në komunën e Mitrovicës, Kryeministri i Kosovës dhe Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në të cilën ish-kryetari i Komunës së Mitrovicës, nga radhët e LVV-së Agim Bahtiri e ka udhëhequr.

Sipas Kurtit faji për humbjen në Mitrovicë mund të jetë te përkrahja e pa mjaftueshme në këto zgjedhje.

“Sigurisht që kam pritur rezultat tjetër. Agim Bahtirin, e falënderoi përzemërsisht për kontributin, angazhimin e tij dhe gjithashtu për besnikërinë ndaj LVV-së dhe për korrektësinë në raportet e tij me mua si kryetar e si kryeministër”, ka shtuar Kurti.

Lëvizjes Vetëvendosje i është përgjysmuar vota në këto zgjedhje krahasuar me ato të 14 shkurtit, kur arriti mbi 50% të votës popullore, por kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe lideri i Vetëvendosjes, këmbëngulë se partia e tij ka fituar.

Për krahasimin negativ në raport me zgjedhjet e para gjashtë muajsh, Kurti tha se është i paqenë, meqë ajo ishte listë zgjedhore e papërsëritshme, “mbase me dekada”.

“Aty kam qenë unë, presidentja aktuale dhe kryetari aktual i Parlamentit. Nuk krahasohet ajo listë me këto lista”, deklaroi Kurti.

“Ajo listë e 14 shkurtit është e pashembullt jo vetëm në Kosovën e pas luftës”.

Kurti ka thënë edhe se për Vetëvendosjen mbase më mirë u bë kështu që shkuan në balotazh, pasi tash do ta kenë rastin t’u flasin më shumë qytetarëve për problemet komunale, meqë kryesisht Vetëvendosje tha se njihet për artikulimin e problemeve nacionale.

“Pavarësisht rezultateve që ne kemi synuar e dëshiruar jemi të kënaqur me këtë që kemi arritur për shkak se edhe në nivel vendi sa i përket zgjedhjeve lokale Vetëvendosje u bë subjekti i parë”, është deklaruar Kurti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore