Lajme

Kurti për afganët në Kosovë: Është nder për neve që kishim mundësi t’i mirëpresim dhe t’u ndihmojmë


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga i ngarkuari me punë në Ambasadën e Amerikës në Prishtinë, Nicholas J. Giacobbe, ka vizituar qytetarët afganë, që po qëndrojnë në kampin amerikan Bondsteel.

“Së bashku me Zëvendëskryeministren për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut në Republikën e Kosovës, Emilija Rexhepi dhe Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, Kurti, falënderoi zyrtarët amerikanë për komunikimin dhe bashkëpunimin e ngushtë në këtë çështje humanitare për refugjatët, të cilët kishin nevojë për mbështetjen tonë e që po i ndihmojmë së bashku”, thuhet nw njoftimin e zyrws pwr media të Qeverisë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga i ngarkuari me punë në Ambasadën e Amerikës në Prishtinë, Nicholas J. Giacobbe në kampin amerikan Bondsteel

Sipas këtij njoftimi, “Kurti tha se është nder për neve që kishim mundësi t’i mirëpresim dhe t’u ndihmojmë qytetarëve afganë, të cilët tani janë mysafirët tanë”.

Ndërkaq zyrtarët e kampit Bondsteel shprehen mirënjohjen e tyre për angazhimin e Qeverisë së Kosovës në strehimin e qytetarëve të shpërngulur nga konflikti në Afganistan.

Më 5 nëntor, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), ka bërë të ditur përmes rrjetit social Twitter se rreth 100 afganë që ishin strehuar në Kosovë tashmë janë nisur drejt SHBA-së.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë takimit me afganët në Kosovë

Ndryshe, më 16 shtator mbi 100 afganë janë nisur nga Kosova për Britaninë e Madhe.

Më 19 shtator janë larguar edhe 51 shtetas afganë nga Kosova.

Afganët që po qëndrojnë në Kosovë janë kryesisht persona që kanë punuar në cilësi të ndryshme për ushtrinë amerikanë si dhe forcat e tjera aleate të NATO-s, që kanë operuar në Afganistan në 20 vjetët e fundit.

Afganët duke u larguar nga Kosova

Për dallim nga Shqipëria dhe Maqedonia e veriut, në Kosovë, afganët kanë rregulla strikte të lirisë së lëvizjes, ata nuk e kanë të lejuar të dalin nga kampet ku janë vendosur.

Në Kosovë të strehuar kanë qenë 683 shtetas afganë.

Ambasada britanike kishte falënderuar dhe ka thënë se i është jashtëzakonisht mirënjohës për bujarinë e Kosovës në pritjen e këtyre njerëzve të cenueshëm dhe për hapin përpara për të mbështetur NATO -n në kohën e nevojës.

Grupi i parë i afganëve në Kosovë kishte arritur më 29 gusht, ku raportohej të ishte një grup prej 111 personave.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore