Lajme

Kurti pas takimit me Lajçak-un: Me marrëveshjen për energjinë kursejmë miliona euro


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe emisarin special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në takim me emisarin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak ka diskutuar për qasjen konstruktive përgjatë tërë procesit të dialogut në Bruksel, parimet, vlerat dhe synimin e këtij procesi.

Kështu ka bërë të ditur Zyra e Kryeministrit përmes njoftimit për media.

Gjithashtu, në këtë takim thuhet se është diskutuar edhe për marrëveshjen mbi zbatimin e udhërrëfyesit të energjisë sipas marrëveshjeve të vitit 2013 dhe 2015.

“Kurti shprehi angazhimin e Qeverisë në zbatimin e tij, me qëllim të përfundimit të një problematike të trashëguar, tё furnizimit dhe pagesës sё energjisë në katër komunat në veri tё vendit”.

“Në takim u bisedua për mbarëvajtjen e deritanishme të takimeve, qasjes konstruktive përgjatë tërë procesit të dialogut në Bruksel, parimet, vlerat dhe synimin e këtij procesi”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe emisarin special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak.

“Kryeministri Kurti ritheksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës është e angazhuar për dialog parimor, nga i cili duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve, nëpërmjet një marrëveshjeje të qëndrueshme dhe të zbatueshme, që në qendër ka njohjen reciproke”, thuhet në njoftim.

Në njoftim, është rikujtuar marrëveshja e arritur për energjinë mes palës së Kosovës dhe Serbisë.

“Në saje të kësaj marrëveshjeje, pas më shumë se 20 vjetësh, katër komunat në veri Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë Veriore, do të kalojnë në një rend të rregullt të faturimit të energjisë”.

“Me këtë marrëveshje, buxhetit të Kosovës do t’i kursehen me dhjetëra milionë euro në vit, të paguara më herët për mbulimin e kostove energjetike të veriut të vendit”.

Një javë pas akordimit për udhërrëfyesin për Marrëveshjen për Energjinë Elektrike mes Kosovës e Serbisë në Bruksel (21 qershor), Miroslav Lajçak, ndërmjetësuesi i deleguar i dialogut mes dy shteteve nga Bashkimi Evropian, ka vizituar Kosovën.

Lajçak ka ardhur këtë të hënë, 27 qershor, me agjendë të ngjeshur, pasi përveç takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ai do të takohet edhe me gjithë liderët e partive opozitare.

Nga njoftimi zyrtar për vizitën e politikanit sllovak, thuhet se “fjalimi për media i emisarit Lajçak është planifikuar për të mërkurën, 29 qershor”, derisa “detajet do të ndahen me përfaqësuesit e mediave të martën, më 28 qershor”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore