Lajme

Kurti nuk e ka opozitën kundërshtar kryesor por qeverisjen dhe ministrat e tij, thotë Tahiri


Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri

Kundërshtari kryesor i Albin Kurtit nuk është opozita por qeverisja e tij dhe ministrat pa autoritet vendim-marrje, ka thënë shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri.

Pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Tahiri bëri thirrje që ligji për pagën minimale i cili përjashton nga përfitimi kategorinë e veteranëve të luftës të hiqet nga rendi i ditës në seancën e së martës.

Për seancën e së enjtes ku do të diskutohet edhe çështja e tërheqjes së deri në 30% të Trust-it, Tahiri i kërkoi qeverisë dhe shumicës parlamentare të Lëvizjes Vetëvendosje të reflektojnë rreth nevojës së kalimit të këtij projektligji.

“Ekonomia është bllokuar, 600 kontrata janë në pritje përderisa investimet publilke janë ndalur. Është e domosdoshme që Qeveria të marrë masa urgjente në revitalizimin e zingjirit ekonomik. Kosova është në kolaps ekonomik, Qeveri duhet të veprojë!”, shkroi Tahiri në Facebook.

“Sa i përket çështjes së Trustit, deputetët e pozitës shpresoj se do të reflektojnë dhe ta mbështesin këtë nismë për shkak të gjendjes së rëndë sociale në vend, e shkaktuar si pasojë e rritjes enorme të çmimeve”.

Mes tjerash, Tahiri përsëri u thirr në Ligjin për Pagat, për të cilin tha se qeveria “po e mban në sirtar”.

“Qeveria ka mungesë serioze të vizionit për të sjellë ligje të cilat trajtojnë çështje jetike për qytetarët. Ligji i Pagave ka mbetur në sirtare dhe ende nuk është askund. Me këtë pazotësi, kjo qeveri po i hyn në hak gjithë shërbyesve civilë
“, tha mes tjerash Besnik Tahiri i AAK-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore