Lajme

Kurti: ‘No Comment’ për ‘non paper’, më 11 maj nuk takohem me Vuçiçin


Albin Kurti, kryeminister i Kosoves

Përgjigja më e mirë për “non-papers” është “no comment”, ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili po ashtu ka njoftuar se nuk do të shkoj në takimin e 11 majit me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç.

“Unë besoj që të gjithë këtyre ‘non-paerave’ më së miri është t’u përgjigjemi me ‘No Comment’, sepse përmes përgjigjeve po përpiqen të marrin jetë, ndërkohë që nuk dihet autori e as synimet, por pasojat nuk mund të jenë të mira. Nuk mund të lejojmë as ringjalljen e projekteve të dështuara për shkëmbim territorial e as të atyre për bosnjëzimin e Kosovës”, ka thënë ai para gazetarëve në Bruksel.

Kurti ka thënë se nuk do të marrë pjesë në takimin me Serbinë më 11 maj i cili u paralajmërua nga përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell.

Por, ai ka bërë të ditur se në Bruksel do të shkojë përsëri në mesin e muajit maj për drekë ose darkë pune me liderët e Ballkanit Perëndimor.

“Unë nuk mund të marr pjesë në takim për të cilin nuk e kam konfirmuar paraprakisht pjesëmarrjen, ajo që mund të ju konfirmoj është që do të vij në Bruksel për një drekë ose darkë pune të organizuar nga Komisionari Borrell, nga mesi i muajit maj, ku do të bëjnë pjesë liderët e Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Kurti.

Kryeministri Kurti ka folur edhe për vizitën dy ditore në Bruksel.

“Vizita që e kemi këtu dy ditë është në kuadër të marrëdhënieve tona bilaterale, që na nevojiten edhe më shumë marrëdhëniet e tilla të forcuara dhe takimet e tilla të rajonit para se të fillojmë kapitullin e ri të dialogut që duhet të jetë i përgatitur mirë edhe me parime pasi nuk e kemi komoditetin për dështime të reja”, ka thënë Kurti.

Kur ka folur për vaksinat, ka bërë me dije që në takimet që ka pasur ka kërkuar bashkëpunim lidhur me këtë çështje.

“Tashmë e dimë që do e kemi ardhjen e 95 mijë vaksinave të reja në maj dhe neve na nevojiten më shumë se kaq, dhe me partnerët po diskutojmë se si ti marrim më shpejtë vaksinat që të mund t’i kthejmë më vonë ato për shkak se jo vetëm për shëndetin publik të vendit tonë por edhe për ekonominë private është e domosdoshme ardhja e mërgatës gjatë verës, meqenëse jemi aq shumë të varur nga ta. Pra edhe për shëndetin e dhe për ekonominë. Këtë e kam diskutuar edhe me kryeministrin belg dhe zyrtarët tjerë”, ka thënë ai.

Kryeministri Kurti ka nisur të mërkurën takimet zyrtare në Bruksel, në udhëtimin e tij të parë prej kur mori mandatin në krye të Qeverisë pas zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Në delegacion me kryeministrin janë edhe dy zëvendëskryeministra, Donika Gërvalla-Schwartz, për Punë të Jashtme dhe ai për Çështje Evropiane dhe Dialog, Besnik Bislimi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore