Lajme

Kurti në takim me Akar – rikonfirmohet mbështetja e Turqisë për Kosovën


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Ministri i Mbrojtjes Kombëtare së Republikës së Turqisë, Hulusi Akar.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të martën është takuar me Ministrin e Mbrojtjes Kombëtare të Republikës së Turqisë, Hulusi Akar.

Gjatë këtij takimi është ofruar mbështetje dhe përkrahje nga Republika e Turqisë ndaj Kosovës, ndërsa është diskutuar edhe për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy vendeve.

Kjo është e bërë e ditur nga zyra e kryeministrit, që thuhet se Turqia është një përkrahëse, mike dhe partnere e madhe e Kosovës.

“Vendet dhe njerëzit tanë kanë lidhje të afërta tradicionalisht dhe qeveritë tona kanë bashkëpunuar ngushtë që nga pavarësia jonë”, tha kryeministri Kurti, duke theksuar rolin e rëndësishëm që Turqia ka luajtur në çlirimin tonë, por edhe në forcat paqe ruajtëse të NATO-s.

“Duke theksuar se Kosova ka shumë për të mësuar nga Turqia dhe Forcat e Armatosura Turke, kryeministri shprehu mirënjohjen për programet dhe stërvitjet e shkëlqyera, që ofrojnë shumë mundësi për shtim aftësish për pjesëtarët e Forcave të Sigurisë së Kosovës”, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Ministri i Mbrojtjes Kombëtare së Republikës së Turqisë, Hulusi Akar.

Ndërkaq, theksohet se mirënjohje është shprehur edhe për donacionet në fondet e mbrojtjes.

“Ai u shpreh veçanërisht mirënjohës për donacionet në fondet e mbrojtjes, prej 1.3 milion dollarë për vitin 2021, si dhe pajisjet, trajnimet dhe arsimimin në të gjitha fushat”.

Kurti bëri të ditur se për vitin e ardhshëm Qeveria ka ndarë një buxhet prej mbi 100 milionë euro për Ministrinë e Mbrojtjes, apo 1.3 për qind të Bruto Produktit Vendor, duke synuar që së afërmi të mbërrijmë edhe standardin prej 2% të BPV-së, që parasheh një ushtri e NATO-s.

Edhe, ministri Akar ka potencuar përpjekjet e mëdha të Turqisë, që Kosova të fitojë vendin e duhur në arenën ndërkombëtare.

“Ai rikonfirmoi mbështetjen e vazhdueshme për integrimin euro-atlantik dhe në NATO, rritjen e vazhdueshme të kapaciteteve të FSK-së si dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës”.

Akar u shpreh se vlerëson, “marrëdhëniet ndërmjet të dy vendeve dhe dy popujve tonë, që bazohen në një lidhje shumë të afërt, të cilën do ta çojmë edhe më përpara”.

Më 28 dhjetor edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim Ministrinë e Mbrojtjes së Turqisë, Hulusi Akar, ku ka theksuar se synimi i Kosovës është anëtarësimi në NATO, andaj ajo ka kërkuar mbështetjen e Turqisë në këtë proces.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe Ministri i Mbrojtjes së Turqisë, Hulusi Akar

Ministrinë e Mbrojtjes së Turqisë, Hulusi Akar gjatë vizitës së tij në Kosovë, është takuar edhe me Ministrin e Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj, ku ka falënderuar Kosovën dhe institucionet e saj për bashkëpunim të shumëfishtë.

Ai ka folur edhe çështjen e “FETO-s”, ku ka thënë se nuk është kërcënuese vetëm për Turqinë, por edhe për Kosovën.

“Nga miqtë tanë kosovarë dhe institucionet kosovare presim të marrin veprime konkrete. Në këtë rast edhe njëherë dua ta falënderoj ministrin Mehaj për këtë mikpritje të sinqertë dhe të ngrohtë”, tha Akar.

Për Ministrin Akar, marrëdhëniet e Kosovës me Turqinë janë shumë të rëndësishme marrë parasysh këtu edhe lidhjet historike që kanë këta dy shtete.

Ministri i Mbrojtjes Kombëtare të Republikës së Turqisë, Hulusi Akard dhe ministri i Mbrojtjes në Kosovë, Armend Mehaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore