Lajme

Kurti: Në raportin tonë me Serbinë ne e kemi prioritet çështjen e të pagjeturve dhe krimeve të kryera


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se në bisedimet me Serbinë çështjet me prioritet do të jenë krimet serbe në Kosovë dhe të pagjeturit, duke thënë se do kërkojnë drejtësi dhe përgjegjësi.

“Drejtësia mungon dhe është obligim i yni që të angazhohemi maksimalisht me institutin e ardhshëm për krimet e kryera gjatë luftës dhe me aktivizimin e Prokurorisë Speciale në mënyrë që të arrijmë t’i shërojmë plagët e luftës, duke zbardhur fatin e të pagjeturve dhe duke sjellë drejtësi”, ka deklaruar Kurti nga Krusha e Madhe, ku kishte shkuar për homazhe së bashku me kandidaten për Presidente të Kosovës, Vjosa Osmani, në 22 vjetorin e masakrës në këtë fshat.

Ai tha se “padyshim që në raportin tonë me Serbinë ne e kemi prioritet çështjen e të pagjeturve dhe krimeve të kryera gjatë luftës sepse s’mund të kemi progres nëse nuk i trajtojmë ato”.

“Këto krime kanë ndodhur dhe i mbajmë mend, dhe kjo do të jetë prioritet në bisedime me Serbinë. Nuk do të jetë dialog ku i dëgjojmë kërkesat e vjetra të Serbisë por do të jetë dialog ku ne shtrojmë kërkesa për drejtësi”, tha kryeministri Kurti.

Kurti shtoi se Qeveria do krijojë kushtet që prokuroria të jetë aktive dhe gjyqësori të jetë efikas në kryerjen e punëve në gjykimin dhe dënimin e kriminelëve.

“Do ta kryejmë edhe hapin e tretë shumë të rëndësishëm të konstituimit të institucioneve të legjislaturës së tetë, por sot këtu me presidenten në ardhjen jemi këtu për t’i kujtuar të rënët dhe martirët në Krushën e Madhe”.

Ndërkohë, kandidatja për Presidente të Kosovës, Vjosa Osmani theksoi se “Krusha e Madhe dhe masakrat e kryera janë zëri i lartë i ndërgjegjes që thërret për drejtësi”.

Ajo ka shtuar se duhet kërkuar drejtësi për ta krimet serbe në Kosovë.

Masakra e Krushës së Madhe konsiderohet njëra ndër më të mëdhatë që ka ndodhur gjatë luftës në Kosovë.

Në marsin e vitit 1999 në këtë fshat të Rahovecit, forcat serbe kanë vrarë 241 njerëz, ku trupat e 64 viktimave ende janë të zhdukur.

Mes tyre shtatë fëmijë janë vrarë, nga gratë e vrara, njëra nga të cilat ishte edhe shtatzënë dhe 510 fëmijë kanë mbetur bonjakë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore