Lajme

Kurti në mesazhin për 24 marsin, mesazh edhe për QUINT-in


Kryeministri i Kosovës. Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një shkrimi për 24 mars ku shënohet intervenimi humanitar i NATO-s në Kosovë ka zgjedhur t’i “përgjigjet” edhe deklaratës së përbashkët të vendeve të QUINT-it, të cilët shprehën zhgënjimin dhe dëshpërimin ndaj qasjes jo konstruktive të Qeverisë së Kosovës për moslejimin e mbajtjes së zgjedhjeve serbe

“Viktima harrohet shpejt, krimi fashitet shpejt. As njohja e viktimës e as rikujtimi i krimit nuk duhet të kenë moshën e individit njerëzor, por moshën e dijeve publike”, shkroi Kryeministri i Kosovës, që paraqitet si aludim ndaj shteteve të QUINT-it.

Për të shpjeguar fillimisht: Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mënyrë që të lejohet mbajtja e zgjedhjeve serbe, kushtëzoi palën serbe që me kërkesë zyrtare ata t’i drejtohen qeverisë së Kosovës për zgjedhjet. Një gjë që u refuzua kategorikisht nga Beogradi.

Shtetet e QUINT-it, vlerësuan Serbinë si konstruktive, por jo edhe Kosovën. Madje, qëndrimin e Kosovës e cilësuan “në kundërshtim me parimet dhe vlerat evropiane dhe demokratike”,

Reagimi i Kurtit në përmasat e tij eseistike, rikujtuese, historike, dhe ndërgjegjësore vjen në një formë të pazakontë dhe abstrakte.

“Jemi në kohën e përplasjes së demokracisë me dramën e vonesës dhe mungesës së vet, me dramën e lëshimeve dhe moskuptimeve”, shkroi fillimisht Kurti.

“Një vend si i yni dhe një shoqëri si e jona e kuptojnë këtë dramë më mirë e më nga afër”.

“E ardhur nga një popull jo i madh, kjo trajektore formësonte, pas shembjes së ish Jugosllavisë dhe pas krimeve monstruoze në Bosnjë, një komplikim të ri dhe një telash të madh për institucionet që më së shumti kishin dijen e demokracive perëndimore. Ky problem kërkonte një llogaritje të re”, vazhdoi kryeministri.

“Rruga jonë kishte qenë nga paqja te lufta, dhe perëndimi kërkonte ta niste nga dialogu për ta shmangur luftën. Demokracia ka ndot nga lufta, sepse kjo ia shfaq hapur defektet e kuptimit dhe gjuhës, ndërgjegjes mbi të shkuarën dhe projektimit në të ardhmen. Duhet ta themi se shoqëritë demokratike kanë qëmtuar më së shumti natyrën e aparateve të krimit dhe e kanë mbajtur gjallë diskutimin e tyre publik”.

Kurti, këtë shkrim e bëri më 24 shkurt ku pikërisht shënohet nisja e intervinimit të NATO-s ndaj Serbisë, për të ndaluar spastrimin etnik dhe gjenocidin në Kosovë nga Sllobodan Millosheviç, ku pikërisht në atë kohë ministër i informacionit në Serbi ishte presidenti aktual, Aleksandër Vuçiç, i cili një ditë më parë u vlerësua si “konstruktiv” nga QUINT-i.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore