Lajme

Kurti: Në Kosovë jetohet më mirë se në shumë vende të botës


Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës

Duke arsyetuar vendimin e qeverisë se përse nuk duhet tërheqja e mjeteve nga trusti pensional, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nga foltorja e Kuvendit ju drejtua deputetëve duke thënë se “në Kosovë, qytetarët jetojnë më mirë se në shumë vende të tjera të botës”.

Në seancën e kuvendit të kësaj të enjte, një nga pikat e diskutimit është edhe diskutimi për tërheqjen e 30% të mjeteve nga Trusti.

“Se çka ne po bëjmë po e ftoj Ministrin e Financave, Punës e Tranfereve, Hekuran Muratin që ta përsëris edhe njëherë se çka po bëjmë ne për qytetarët që na qenkan duke vuajtur”, tha Kurti.

“Unë nuk po them që qytetarët e kanë jetesën e mirë, por shifrat tregojnë që mesatarja është shumë më e mirë se që ishte më herët dhe sidomos është shumë më e mirë krahasuar me gjendjen aktuale në botë”, vazhdoi Kurti.

“Nuk është gjendja e mirë unë nuk po them por është shumë më e mirë se që e kanë të tjerët”, ka specifikuar kryeministri.

“Të gjithë janë në krizë, e gjithë Evropa është në krizë. Të gjithë janë duke e parë se çka po ndodhë me krizën e dimrit të ardhshëm në çmimet e energjisë e ushqimit, të gjithë janë të shqetësuar jemi edhe ne”.

“Ma gjeni një shtet që u pasurua në këtë vit ose në vitin e kaluar?”, ka pyetur kryeministri.

“Për besë të tjerët janë në kriza shumë më të mëdha. Kanë kaluar me borxhe edhe mbi 100% edhe nuk e kanë as për së afërmi gjendjen relativisht qysh e kemi ne”, përfundoi kryeministri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore