Lajme

Kurti në konferencë me Stoltenberg: Mos ta humbasim kompasin moral – njëra anë është demokratike, tjetra strukturë kriminale


Albin Kurti dhe Jens Stoltenberg ne konference per media

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është pyetur për qasjen e NATO-s dhe Bashkimit Evropian, që në komunikata kanë thënë se dy palët duhet të ulin tensionet, duke iu referuar kështu Kosovës dhe Serbisë.

Kurti, tërthorazi ka treguar se nuk pajtohet me këto konstatime.

“Sa u përket dypalëve, në njërën anë kemi Kosovën demokratike dhe në anën tjetër kemi struktura ilegale të Serbisë që janë të lidhur me banda kriminale. Në këtë sens ju mund të thoni se janë dy palë, por kurrë s’duhet të humbim kompasin moral dhe duhet të ketë zero tolerancë ndaj krimit”.

Kurti ka folur edhe për vendimin për targat. I pyetur se a po e konsideron që ta tërhiqet nga ky vendim, ka thënë se “nuk shohim mënyrë tjetër dhe është për të mirën e të gjithëve që të bëjmë gjithçka ligjore në vendin tonë”, duke pohuar kështu që s’ka tërheqje nga vendimi.

Kurti ka përmendur edhe faktin që Kosova “duhet të jetë vigjilente për shkak të fqinjit tonë verior”.

Pjesa tjetër e fjalimit kryesisht ka qenë falënderim për NATO-n për kontributin në Kosovë dhe gjithashtu sigurim i Stoltenberg se Kosova qëndron pro vlerave euro-atlantike, të njëjta si ato që përqafon NATO.

“Unë përmenda qëllimet tona për të ardhmen”, deklaroi Kurti, “ne jemi të përkushtuar që te sigurojmë që politikat tona janë në linje me perëndimin. Ky është përkushtimi jonë dhe prezanton identitetin tonë politik dhe linjën historike”.

Kryeministri kosovar gjithashtu ka falënderuar NATO-n për kontributin në lirinë e Kosovës fillimisht e më pas në ndërtimin e shtetit.

Në veçanti, Kurti u shpreh falënderues për NATO-n në “kontributi i NATO-s për FSK-në”, i cili “ka qenë i jashtëzakonshëm”.

“Falë bashkëpunimit dhe këshillave të tyre, FSK ka arritur nivel të lartë të operimit. Të gjitha këto janë të ndërtuar në bashkëpunim me NATO-n. Për këtë arsyen jemi shumë të nderuar për besimin që ka NATO në FSK dhe jemi gati të kontribuojmë në të gjitha projektet e NATO-s”.

Kurti e ka bërë edhe një herë të qartë se Kosova “do anëtarësim në NATO” dhe se “ky është vizioni ynë”.

“Kosova ka treguar përkushtimin tonë për të mbrojtur vlerat e përbashkët dhe për të kontribuar në paqe”.

Në fund, Kurti i kthyer nga Stoltenberg, i ka thënë atij se “ne qëndrojmë të fortë dhe të bashkuar”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore