Lajme

Kurti në CNN: S’e dorëzojmë shtetin demokratik për shkak të “milicive fashiste”


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për prestigjiozen amerikane “CNN”, teksa ka folur për tensionet në pjesën veriore të vendit – Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – tha se nuk do t’ia dorëzoj demokracinë dhe shtetin “milicive fashiste” të regjimit të Serbisë.

“Të gjithë faktorët ndërkombëtar i njohën rezultatet e zgjedhjeve. Kur të njohësh këtë rezultat, atëherë kryetarët duhet të shkojnë në objektet e komunave. Kush tjetër duhet të shkojë në këto objekte, nëse jo kryetarët? Nuk do ta dorëzoj republikën demokratike për shkak të një regjimi fashist”.

Kreu i ekzekutivit pohoi se janë duke punuar ngushtë me faktorët ndërkombëtarë, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, që konsiderohen aleatë shumë të vlefshëm dhe se autoritetet do të bëjnë më të mirën, porse nuk do ta dorëzoj “republikën demokratike te milicia fashiste”.

Gjatë intervistës së tij – realizuar përmes platformës “Skype” – Kurti është vënë në “siklet” nga gazetarja Isa Soares, e cila kërkoi nga ai t’i paraqesë prova lidhur me pretendimet se në mesin e protestuesve serbë në veri pati edhe policë nga Beogradi.

Kryeministri Kurti ka thënë se insitucionet kosovare posedojnë shumë “foto dhe video” që dëshmojnë se bandat e dhunshme që sulmuan Policinë e Kosovës, paqeruajtësit e KFOR-it dhe gazetarët në terren, të cilët dirigjohen nga Serbia, shfaqin “milicinë serbe”.

“Ne kemi shumë video dhe foto që shfaqin milicinë serbe duke qenë pjesë e bandave të dhunshme. Disa nga ta vijnë nga Kosova, por disa edhe nga Serbia. Serbia fqinje është autokraci pro-ruse. S’ka shumë demokraci atje”, tha Kurti, ndërsa shtoi se regjimi serb urdhëroi “xhandarmërinë” të shkaktojë trazira në Kosovë.

Ndryshe, të martën vazhdoi tubimi i serbëve para objekteve komunale në veri të vendit për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj në zyra. Përveç njësiteve elitare policore të Kosovës, një prani e shtuar e ushtarëve të KFOR-it – kryesisht trupa amerikane – janë vendosur para objekteve të komunave në këtë zonë.

Dhjetëra pjesëtarë të KFOR – kryesisht hungarezë dhe italianë – u lënduan gjatë një ndërhyrjeje për t’i shpërndarë protestuesit serbë në Zveçan të hënën. Pasi paqeruajtësit e NATO-s kërkuan nga protestuesit të shpërndahen, ata nuk pranuan dhe hodhën gurë, shok-bomba e koktej molotovi.

Gjithashtu, veturat e ekipeve të gazetarëve kosovarë janë dëmtuar të hënën dhe të martën nga persona të panjohur në Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan. Veturave u janë shpërthyer gomat dhe në to janë vizatuar simbole nacionaliste serbe. Janë dëgjuar edhe këngë shoviniste.

Derisa Serbia lëvizi ushtrinë në afërsi të Kosovës, komuniteti ndërkombëtar ka paralajmëruar pasoja për Kosovën, pas përplasjes së serbëve të veriut me policinë, e cila të premten, nën urdhrat e qeverisë, filloi aksionin për t’ua mundësuar qasjen në zyra kryetarëve të rinj të tri komunave veriore.

Aktualisht, në veri ekziston pak ose aspak rendi publik, udhëheqja atje nuk gëzon as autoritet, as besnikëri, ndërsa bandat e dirigjuara nga Beogradi i kërcënojnë me rezistencë institucionet kosovare që po mundohen të integrojnë komunitetin serb dhe të vendosin një rend efektiv.

Kurti nuk heq dorë: Kryetarët veç në ndërtesa të komunave – Demokracia nuk mund të suspendohet

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore