Kosova

Kurti në Bratislavë pritet të takojë Borrellin dhe Lajçakun


Ilustrim: Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të mërkurën ka arritur në Bratislavë të Sllovakisë për të marrë pjesë në Forumin “Globsec2023”.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka theksuar se Kurti në margjinat e këtij forumi pritet të takojë shefin e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrel dhe emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

“Kurti po merr sot pjesë në ditën e fundit të Konferencës për Siguri Globale në Bratislavë. Ndër të tjerash, atje do të takojë Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Borrel dhe emisarin e BE-së, Lajcak si dhe do të jetë pjesë e disa paneleve të diskutimit. Qëndrimi i tij do të jetë njëditor. Brenda ditës do të jetë në Kosovë”, ka thënë Kryeziu për mediat në Kosovë.

Ndryshe nga Kurti, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, edhe pse ka qenë i ftuar në këtë forum ka refuzuar pjesëmarrjen me arsyetimin e situatës së krijuar në Veri të Kosovës.

Që nga 26 maji janë rritur tensionet në Veri të Kosovës. Serbët lokalë po kundërshtojnë kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut.

Përveç ndalimit të hyrjes në objektet komunale të kryetarëve të rinj, serbët lokalë po kërkojnë edhe tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga kjo pjesë e vendit.

Në anën tjetër më 29 maj, në Zveçan, strukturat paralele serbe u përleshën me trupat e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR-in, i cili ka shtuar prezencën në veri, pas tensionimit të situatës. Si pasojë 41 pjesëtarë të këtij misioni mbetën të lënduar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore