Lajme

Kurti në Athinë: Na duhet Procesi i Berlinit 2.0 – Kosova është storie suksesi e demokracisë


Albin Kurti ne Athine

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Ballkanit Perëndimor i duhet patjetër një rigjallërim i Procesit të Berlinit, apo siç e ka pagëzuar ai, Procesi i Berlinit 2.0.

Duke folur në tryezën e organizuar nga Economist, e 26 me radhë, që po mbahet në Athinë të Greqisë dhe ku do flasin liderë botërorë nga fusha të ndryshme, dhe ku do ketë një fjalë rasti edhe presidenti ukrainas, Vladimir Zelensky, Kurti pohoi se jemi në një kohë kur po tentohet ndryshimi i narrativëve.

“Kosova është storie suksesi për zhvillimin ekonomik dhe kualitetin demokratik. Por, sot kemi një sfidë të vërtetë të ndryshimit të narrativës. Kemi superfuqi që duan të tregojnë se autokracia është më e mirë për zhvillim. Prandaj, Kosova po tregon se me reforma ekonomike mund t’ia dilni të zhvilloheni ekonomikisht në demokraci. Sepse Demokracia dhe zhvillimi shkojnë së bashku”, deklaroi ai.

Kurti gjate fjalimit

Kryeministri i Kosovës s’ka lënë pa përmendur edhe pozicionimin e Kosovës në rastin e invazionit rus në Ukrainë dhe në të njëjtën kohë refuzimin e Serbisë për t’i vënë sanksione Rusisë.

“Në ditën e parë ne e kemi dënuar invazionin rus. Çka shohim sot është fashizmi rus. Fashizmi nuk është diçka e rezervuar veç në luftën e dytë botërore. Sot shohim fashizmin rus dhe në këtë moment s’mund të jemi neutralë. S’mund të jesh neutral në mes të zjarrit dhe zjarrfikësit. Agresioni i Kremlinit ishte luftë e qëllimshme, ndërsa solidariteti evropian nuk është çështje e zgjedhjes, është obligimi dhe detyrimi jonë”.

“Kemi Serbinë që nuk po u bashkohet sanksioneve, në ndërkohë kemi lidhje të forta të tyre me Rusinë, lidhje ekonomike, historike, politike e kulturore. Prandaj, ne na duhet Procesi i Berlinit 2.0. Kam shumë shpresa në lidershipin e kancelarit gjerman Olaf Scholz. Me atë në Berlin e Joe Biden në Uashington mund t’ia dalim”.

“Kështu që na duhet Procesi i Berlinit 2.0, nëse mund ta quaj ashtu. Ne na duhet ndihmë nga jashtë, por duhet të zhvillojmë vlerat e BE-së edhe nga brenda, duke bërë reforma demokratike, gjithmonë si prioritet stabilitetin politik”.

Sepse, siç ka deklaruar Kurti, “reformat demokratike bëjnë të mundur që të mos lindin autokratë të rinj”.

Tema e këtij viti e tryezës që do të mbahet nga 5 korriku deri me 7 korrik, është “Antitezat, transformimet, arritjet në një botë në ndryshim”.

Abazoviç elaboron nevojat e Ballkanit Perëndimor: “Kosovës vizat, Shqipërisë e Maqedonisë negociatat, Serbisë e Malit të Zi ecje tutje në BE”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore