Lajme

Kurti ndan 500 bursa për studentët e komuniteteve


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në takim me përfaqësuesit e komunitetit rom.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se ka ndarë 500 bursa shtesë nga Ministria e Arsimit për studentë të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në drejtime të tjera të studimeve.

“Bashkë me Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit për dhënien e 100 bursave për nxënës të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian për studime në Fakultetin e Edukimit, si dhe ndarjen e 500 bursave shtesë nga Ministria e Arsimit për studentë të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në drejtime të tjera të studimeve”.

“Kryeministri foli edhe për programin për 100 praktikantë, me prioritet për komunitete, që tash janë të angazhuar në ministritë dhe komunat. Ai tha se më vonë gjatë vitit do ta kemi edhe një konferencë, ku aty mund t’i ndajnë përvojat e tyre për të inkurajuar të tjerët prej komuniteteve, të kontribuojnë me aftësitë e tyre, me dijen e përvojën e tyre nëpër institucione”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Kurti, bashkëbisedoi të mërkurën me përfaqësuesit e komunitetit rom, në një tryezë të organizuar, Kurti përmendi disa zhvillime që sipas tij “janë pozitive për komunitetin”.

Ndërkaq, gjatë muajve të verës, është thënë se Zyra për Çështje të Komuniteteve do ta shpallë thirrjen e radhës për grante për aftësim dhe punësim të komuniteteve, sepse “ky është prioritet si për Qeverinë tonë, ashtu edhe për komunitetet”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Zyra për Çështje të Komuniteteve i ka 1.5 milion euro për ndarjen e granteve për komunitetet sivjet, dhe organizata joqeveritare dhe media rome kanë aplikuar për fonde në thirrjen e fundit të Zyrës. Një e arritur që u përmend është “Platforma digjitale për mbrojtje nga diskriminimi për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian” që është lansuar nga Zyra për Qeverisje të Mirë, në Zyrën e Kryeministrit”.

Gjithashtu, është thënë se shumë masa të tjera, janë përfshirë në “Strategjinë për komunitetet rom dhe ashkali”, që është përgatitur nga Zyra për Qeverisje të Mirë, pas konsultimeve me komunitetet.

Edhe, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, të martën ka pritur në takim një grup të grave të komunitetit egjiptian.

Ajo në prag të 24 qershorit, ditës nacionale të komunitetit egjiptian, ka thënë se është fat i Kosovës që përbëhet nga një shoqëri diverse, pjesë e së cilës janë edhe vajzat dhe gratë egjiptiane, të cilat angazhohen aktivisht në avancimin e të drejtave të komunitetit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore