Lajme

Kurti merr dy vaksinat, njërën anti-COVID dhe tjetrën kundër gripit sezonal


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë marrjes së dozës së tretë të vaksinës anti-COVID.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka marrë të martën dozën përforcuese të vaksinës kundër COVID-19 si dhe vaksinën kundër gripit sezonal.

Kurti e bëri të ditur këtë përmes një njoftimi në rrjetin social Instagram.

“Sot e kam marrë dozën përforcuese të vaksinës kundër COVID-19 dhe vaksinën kundër gripit sezonal në të njëjtën kohë dhe të njëjtën qendër të vaksinimit”.

Ndërsa ka sqaruar se tashmë ekziston mundësia e vaksinimit të dyfishtë në të njëjtën kohë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë marrjes së dozës së tretë të vaksinës anti-COVID.

“Mundësia për të marrë të dyja vaksinat njëkohësisht, na jep mundësinë të mbrohemi nga të dyja sëmundjet, për të mbrojtur veten dhe të tjerët”.

Po ashtu kryeministri, ka apeluar tek të tjerët që të vaksinohen sa më shpejt.

“Sidomos kur e gjithë bota po përballet me variantin e ri të virusit Corona, i cili pritet shumë shpejt të vijë edhe në Kosovë, është urgjente që të gjithë qytetarët mbi 18 vjeç të marrin dozën përforcuese të vaksinës sa të kalojnë gjashtë muaj pas marrjes së dozës së dytë”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë marrjes së dozës së tretë të vaksinës anti-COVID.

Ndryshe, në Kosovë, vaksinimi me dozë të tretë ka filluar me nëntë dhjetor.

Ky vendim ka ardhur pas takimit të ministrisë së Shëndetësisë së bashku me Komitetin për imunizim të popullatës me vaksinën kundër COVID-19.

“Doza përforcuese u jepet personave të cilët i kanë marrë dy doza të vaksinës kundër COVID-19, por tek të cilët me kalimin e kohës imuniteti i tyre vjen duke rënë. Doza përforcuese jepet  6 muaj pas  marrjes së dozës së dytë”, thuhet në njoftimin e MSH-së.

Dhënia e dozës së tretë do ju jepet edhe personave tek të cilët nuk është zhvilluar imuniteti i duhur.

“Doza e tretë u jepet personave të cilët i kanë marrë dy dozat e vaksinës kundër COVID-19, por tek të cilët nuk është zhvilluar imuniteti i duhur, si pasojë e imunitetit të dobët të tyre apo sëmundjeve shoqëruese me rekomandim të mjekut ordinues”.

Po ashtu, dozën përforcuese dhe dozën e tretë mund ta marrin të gjithë qytetarët e moshës mbi 18 vjec, sipas interevaleve kohore për dozat e lartë cekura.

Situata epidemiologjike në Kosovë

Më 21 dhjetor, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë ka raportuar nëntë persona të infektuar nga COVID-19 dhe asnjë person të vdekur.

Numri i të infektuarve vjen nga një mijë e 802 mostra të marra nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar gjithsejtë gjashtë persona.

Raste aktive me COVID-19, janë gjithsejtë 314.

Brenda 24 orëve të fundit, në Kosovë janë vaksinuar dy mijë e 96 persona kundër Coronavirusit.

Ndërkaq, 874 mijë e 600 persona janë vaksinuar me dozën e parë, teksa numri i të vaksinuarve me të dy dozat ka arritur në 777 mijë e 730.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore