Lajme

Kurti me ambasadorin e Francës dhe Gjermanisë: Nevojitet arritja e akordit brenda afatit shtesë për çështjen e targave


Albin Kurti, Jorm Rhode dhe Olivier Guerot

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të martën e 22 nëntorit takoi ambasadorët e Francës dhe Gjermanisë në Kosovë, Olivier Guerot dhe Jorn Rohde.

Sipas komunikatës nga Zyra e Kryeministrit, temë qendrore e diskutimit ishin takimet e së hënës në Bruksel me ç‘rast u theksua edhe nevoja për përpjekje maksimale për arritjen e një akordi brenda orëve të mbetura nga afati shtesë prej 48 orësh.

“Ashtu që përafrimi i djeshëm në Bruksel të rezultojë në pajtueshmëri të përbashkët”.

Kreu i ekzekutivit i njoftoi diplomatët me qëndrimet e mbajtura dhe propozimet e dhëna në kuadër të takimeve me ndërmjetësuesit evropianë, Joseph Borrell dhe Miroslav Lajçak.

“Ai e ritheksoi se përmes pjesëmarrjes në takime të ftuara nga ndërmjetësuesit dhe propozimeve të saj, Republika e Kosovës ka dëshmuar konstruktivitetin, gatishmërinë dhe interesimin për arritjen e marrëveshjes ligjërisht të obligueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me njohjen reciproke në qendër”.

“Për dallim nga Serbia, e konsideron si bazë të mirë propozimin e Bashkimit Evropian, të mbështetur nga Gjermania, Franca dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thuhet mes tjerash.

Ndryshe, të hënën në mbrëmje, Kurti, ka njoftuar përmes llogarisë në Twitter se ka pranuar kërkesën e SHBA-ve për të shtyrë vendimin për targat.

Kërkesa për shtyrje erdhi nga ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, përmes një njoftimi në Twitter.

Kurti, e ka falënderuar ambasadorin për “përkushtimin dhe angazhimin”, derisa ka shtuar se “e pranoj kërkesën e tij për shtyrje prej 48 orësh të gjobave për targat ilegale ‘KM’ dhe të tjera”.

“Jam i lumtur të punoj me SHBA-të dhe BE-në në gjetjen e një zgjidhje gjatë këtyre dy ditëve”.
Ambasadori në deklarimin në njoftimin e tij shkroi se “SHBA-të janë të shqetësuara që liderët e Kosovës dhe Serbisë nuk mundën që të arrijnë marrëveshje sot për krizën aktuale në Kosovë”.

“Ne kemi kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të shtyjë vendosjen e gjobave për 48 orë që t’i mundësojnë BE-së dhe SHBA-ve gjetjen e një zgjidhje”, thuhet në deklaratën e Hovenier.

Thirrja për shtyrje e ambasadorit vjen pas takimeve të shumtë e të gjatë në Bruksel, në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, presidentit serb, Aleksandër Vuçiç dhe ndërmjetësuesve të Brukselit, Josep Borell e Miroslav Lajcak.

Nga këto takime nuk u dol me një zgjidhje.

Siç u kuptua më vonë. BE-ja ka vendosur një propozim ku Kosovës i kërkon të shtyjë vendimin për gjobat e veturave me targa ilegale, ndërsa Serbisë që të ndalojë emetimin e atyre targave.

Vuçiç është pajtuar me propozimin.

Me propozimin për shtyrje është pajtuar edhe Kurti, por ka kërkuar që pjesë e kësaj marrëveshje të jetë caktimi i afatit për arritjen e një marrëveshje të përgjithshme për normalizim.

Ky ka qenë kushti i Kurtit që të pranojë vendimin, kjo është refuzuar dhe më pas palët kanë mbetur pa marrëveshje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore