Lajme

Kurti: Mbi 3 miliardë euro buxheti, qeverive të kaluara u janë dashur 10 vjet për ta bërë të njëjtën gjë


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se buxheti për vitin 2023 është më i larti ndonjëherë.

“Do të jetë 3 miliardë e 212 milionë euro, kurse të hyrat buxhetore do ta arrijnë vlerën prej 2 miliardë e 884 milionë euro”, tha Kurti në seancën e Kuvendit ku po diskutohet buxheti për vitin 2023.

Ai ka thënë se ky buxhet është më i larti ndonjëherë, derisa ka theksuar se “ky projekt buxhet është menduar që t’u vihet në ndihmë qytetarëve”.

“Përveçse më i larti ndonjëherë, buxheti është dyfishë më i lartë se sa buxheti që patëm trashëguar në vitin 2021 nga 67 milionë në 123 milionë, teksa qeverive të kaluara u janë dashur 10 vjet për ta bërë të njëjtën gjë”.

Kurti ka theksuar se është i informuar për gjendjen e rënde ekonomike dhe energjetike në vend, “e cila është shkaktuar nga lufta në Ukrainë”.

“Kur garuam në zgjedhjet e 14 shkurtit të vetminë krizë e kishim COVID-in, në të njëjtën kohë lindi edhe një krizë e re, inflacioni, kriza energjetike dhe ushqimore”.

Pos çështjes së buxhetit, Kurti ka folur edhe për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

“Sa i përket qëndrimit tonë lidhur me marrëveshjen e Asociacionit ose Zajednicës, ky është i njohur edhe i qartë, një çështje për të cilën jam përgjigjur pa numër herë, nuk kam përgjigje të re sepse pyetja është e vjetër”, ka thënë ai nga foltorja e Kuvendit të Kosovës.

“Asociacioni natyrisht që nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese e cila praktikisht e ka shpallur”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore