Lajme

Kurti komentohet në Beograd për video-mesazhet në gjuhën serbe: Sa për ne le të drejtohet edhe në mandarinçe, por me rëndësi është çfarë thotë


Albin Kurti me video-mesazh ne serbisht

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u është drejtuar serbëve të Kosovës përmes videove në gjuhën serbe. Vetëm në muajin e fundit ai ka shpërndarë tri video të tillë. E fundit ishte shpjegimi në serbisht se si duhet të bëhet zëvendësimi i targave nga ato serbe me iniciale të qyteteve të Kosovës në RKS.

Në Beograd, politikanë e analistë, i kanë komentuar videot në serbisht të Kurtit.

Kryetari i Lëvizjes Qytetare, Pavle Grboviç, në një koment të tij për gazetën serbe Danas, thotë se këto video të Kurtit s’po ia mbushin mendjen.

“Më e rëndësishme është që Kurti të tregojë respekt për serbët e Kosovës me lëvizjet e tij politike, sesa t’u drejtohet në gjuhën serbe. Kuptimi në nivel njerëzor dhe politik është shumë më i rëndësishëm sesa nëse do të flasim të njëjtën gjuhë apo gjuhë të ngjashme”, deklaroi ai.

“Për mua është me rëndësi ta dëgjojë Kurtin të tregojë se si e respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Manastrin e Decanit dhe s’ka lidhje në çfarë gjuhe e thotë. Edhe sikur ta thoshte në gjuhën mandarine, janë gjeste të tilla që kontribuojnë më shumë në pajtim sesa me adresim të tilla”.

Po për Danas, për video-mesazhet e Kurtit ka folur edhe politologu serb, Ognjen Gogiç.

Ai thotë se “nëse video-mesazhi i Kurtit do të shihej i izoluar, nuk do të kishte shumë për t’u ankuar. Por problemi është se Kurti po u dërgon serbëve “mesazhe të përziera”.

“Në të njëjtën kohë me video-mesazhin e Kurtit në gjuhën serbe, është publikuar edhe video-mesazhi nga Lëvizja Vetëvendosje për votuesit e saj. Në atë video-mesazh renditen të gjitha sukseset e fundit të qeverisë së Kurtit në ‘integrimin’ e veriut të Kosovës. Mirëpo, kontestohet se veriu i Kosovës paraqitet si ‘plaçkë’ që e fitoi Kurti. Ai video-mesazh dehumanizon serbët në veri të Kosovës dhe pasqyron të gjitha stereotipet që ekzistojnë në opinionin shqiptar për ta si ‘të egër’ që thyejnë të gjitha rregullat”, thotë ai.

Përveç Grboviç e Gogiç në Serbi janë komentuar edhe nga analistë e politikanë të tjerë videot e Kurtit. Disa kanë qenë në dritë më pozitive, derisa të tjerë kanë komentuar se është farsë e kryeministrit të Kosovës dhe në esencë janë të padobishme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore