Kosova

Kurti kërkon shtyrjen e zgjedhjeve në Kosovë


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se është për shtyrje të zgjedhjeve, në mënyrë që të mos ketë valë të re të virusit.

“Jemi në vëzhgim të situatës me pandemi në mënyrë që ky përmirësim mos të ndalet dhe në mënyrë që të mos kemi valë të re pasi versioni delta është ekskluziv në muajt tetor e dhjetor. Ne jemi për shtyrjen e zgjedhjeve”, ka thënë Kurti pas takimit konsultativ me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin.

“Nuk do të votohet njëherë por do të kemi edhe balotazh. Duke pasur parasysh të gjitha këto elemente do të jetë më mençur të respektohet vlerësimi i profesionistëve të IKSHPK-së”, ka thënë ai.

Por ai ka shtuar se “sidoqoftë ne nuk e imponojmë qëndrimin tonë dhe do të pajtohemi me cilindo zgjidhje”.

“Nuk janë zgjedhjet lokale sikur ato qëndrore. Nuk votohet vetëm një kandidat por më shumë dhe ka edhe balotazh e nuk votohet vetëm një raund. Kërkojmë të dëgjohet mendimi i ekspertëve shëndetësorë. Ne kemi shprehur qëndrimin si subjekt dhe duhet të presim që të përfundojë takimi konsultativ”.

Në këtë takim të pranishëm ishin edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi dhe Donika Gërvalla përfaqësuese e Listës “Guxo” dhe Mimoza-Kusari-Lila nga Alternativa për Kosovën.

Takimi i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, me krerët e partive politike

Në njoftimin e Presidencës thuhej se “do të jetë takim konsultativ për ta diskutuar opinionin profesional dhe rekomandimin e Task Forcës së Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës lidhur me ndikimin e procesit zgjedhor në situatën epidemiologjike në vend, kështu thuhet në letër dhe nuk kemi diçka më shumë”.

Në anën tjetër, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), i ka rekomanduar presidentes Osmani, që zgjedhjet lokale të 17 tetorit të shtyhen.

Sipas tyre, mbajtja e zgjedhjeve lokale paraqet rrezik “për përhapjen dhe rritjen e infeksionit me COVID-19 e si pasojë edhe rritje të rrezikut të rasteve me fatalitet”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore